Rama kundër akuzave për krimin në ndërtim në Tiranë

Rama promovon kompleksin e ndërtimit në Tiranë, kundërpërgjigjet akuzave për lidhje me krimin.

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar një kompleks të ri ndërtimi në Tiranë, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës se apartamentet e shtrenjta në kryeqytet financohen dhe blihen nga aktivitete kriminale për pastrim parash.

Rama ka deklaruar: “Si çdo gjë në këtë vend që vlerësohet kur shfaqet si sukses, si çdo gjë që goditet kur shfaqet si ndryshim, që sulmohet me baltë kur shfaqet si një shenjë e të nesërmes, është një sektor që merr vazhdimisht goditje, sulme dhe baltë dhe që lëndon një numër të madh protagonistësh të tij.”

Ai ka shtuar se nuk e vë në diskutim që edhe në sektorin e ndërtimit, si në çdo sektor tjetër, edhe në Shqipëri dhe në çdo vend tjetër, përfshirë vende që na japin leksione, ka probleme, të cilat në disa raste mund të jenë më të mprehta se në vende të tjera. Gjithashtu, ka pranuar se jo çdo gjë në sektorin e ndërtimit është e pastër dhe e qartë, por ka theksuar se këtë sukses evident të Shqipërisë dhe transformimin e saj, duke e lidhur me krimin, është diçka e neveritshme dhe e papranueshme.

Kryeministri ka theksuar se shumë vizitorë të huaj e kanë të vështirë të besojnë se Shqipëria mund të realizojë ndërtime të tilla, por ka arsye të qarta dhe të lexueshme për ata që duan t’i kuptojnë. Ai e ka konsideruar të pamundur për disa që të pranojnë suksesin e Shqipërisë, por po kaq të pamundur është për ne që të pranojmë që shumica dërrmuese e investitorëve në ndërtim të futen në “thesin e baltës” për shkak të disa individëve që mund të jenë përfaqësues të këtij problemi, por jo të gjithë.

Rama ka vënë në dukje disa fakte të rëndësishme:

  • Vetëm nga ky projekt, ende pa filluar puna, bashkia e Tiranës ka marrë 14 milionë euro taksë.
  • Ky projekt, kur të bëhet realitet, do t’i dhurojë komunitetit një kopsht dhe një çerdhe, dhe bashkia mund të fitojë edhe një shkollë, pasi investitori është angazhuar të ndërtojë shkollën pasi t’i jepet trualli.
  • Brenda këtyre 14 milionë eurove, 3% janë për strehim. Pra, kush investon, investon për një vlerë të shtuar.
  • Ai ka pranuar se këto apartamente nuk mund të blihen nga persona të varfër apo me paga të ulëta/mesatare, por bashkia e Tiranës përfiton një taksë prej 3% për fondin e strehimit.

Sipas kryeministrit, projekti që përfshin disa kulla ka 350 apartamente të shitura me para në bankë nga shqiptarë të diasporës. “Për të gjithë ata që lehin, në çdo gjuhë, nga shqipja në anglisht dhe që nxitojnë ta shohin transformimin e Tiranës si transformim të krimit, ky projekt ka 350 apartamente të porositura nga diaspora shqiptare, të cilat paguhen me bankë, jo me cash. Këto 350 apartamente përbëjnë 1/4 e apartamenteve që do të ketë ky kompleks i madh dhe sot janë të porositura. Prandaj është e rëndësishme që në një moment njerëzit të informohen dhe ne po përpiqemi,” tha Rama.

Ai ka sfiduar kështu opozitën, e cila e akuzon se me ndërtimet e shumta në Tiranë po mbështet një mekanizëm që lejon trafikantët e drogës të pastrojnë paratë e tyre. Pak ditë më parë, një raport nga Raitre kishte transmetuar idenë se paratë e krimit po investoheshin në Tiranë për të financuar kullat e larta, si pjesë e një vullneti politik që ka kriminalizuar ekonominë shqiptare.

Scroll to Top