Rama kundër SPAK: Imuniteti i Ballukut në diskutim
Menjëherë pas mbërritjes në parlament të kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X. Rama ka komentuar mbi atë që ai e cilëson si një “modë të vrazhdë të arrestimeve nga SPAK” dhe ka paralajmëruar se Partia Socialiste, me 83 votat e saj në parlament, do të përgatitet për të mbajtur një qëndrim të denjë.
Në deklaratën e tij, kryeministri nënvizon:
“Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për një pezullim antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende bojë e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv/kryeministren – me burg ose në shtëpi.
Është e njohur botërisht se arrestimet pa gjyq, qofshin në shtëpi apo me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri. Ky fenomen ka kthyer vendin tonë në një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur, një fakt i turpshëm pa lidhje me standardet demokratike evropiane, i cili ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Evropës.
Sigurisht, në rastin në fjalë, ne nuk mund dhe nuk do të paragjykojmë kërkesën e prokurorit special. Megjithatë, duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull nuk diskutojmë përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë. Ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, dhe do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë dhe të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi.”
