Rama kundër SPAK: Realiteti pas iluzionit të luftës

“`html

Analizë faktesh: Sa reale është lufta mes Ramës kundër SPAK dhe BKH

Kryeministri ka sulmuar agjentët e BKH-së, duke u përplasur në Gjykatën Kushtetuese me ata që, sipas tij, “u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti”. Ai është alarmuar nga kërkesa e Klodian Brahos për krijimin e një skuadre për ekzekutimin e vetë arrestimeve. Por a mjafton kjo për të garantuar pavarësinë e SPAK-ut?

Fundi i javës së kaluar krijoi një iluzion që jo domosdoshmërisht përputhet me realitetin: atë të një përplasjeje tashmë edhe publike mes kryeministrit, nga njëra anë, dhe SPAK-ut dhe BKH-së, nga ana tjetër. Shkak për këtë është bërë një vizitë e hetuesve të BKH-së, të cilët më 20 nëntor, pasi kishin shkuar në Ministrinë e Infrastrukturës për të kryer procedurat e pezullimit të Belinda Ballukut, iu drejtuan edhe Kryeministrisë për të njëjtin qëllim.

Trokitja e tyre në selinë e Kryeministrisë, që deri më tani ishte mbajtur sekret, u bë publike nga vetë Edi Rama, në podkastin e përjavshëm “FLASIM”. Atje ai u ankua për disa “trimosha që nuk donin të linin patllaket jashtë”. Rama deklaroi se ata ishin përplasur me Gardën e Republikës pasi refuzonin të hynin në ambientet e Kryeministrisë pa pistoletat e tyre.

Rama i tha këto fjalë pasi u kujdes të përshëndetë Gjykatën Kushtetuese, e cila të premten shfuqizoi vendimin për pezullimin e Ballukut. Ishte e qartë se kryeministri fitoi në Kushtetuese betejën e parë kundër SPAK dhe GJKKO, të cilëve, sipas tij, “…u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia”.

Që SPAK-u dukej se e kishte marrë për zemër këtë betejë kundër Ballukut, e dëshmon edhe fakti i një dokumenti të pabërë publik më parë, që Lapsi.al ka arritur ta sigurojë. Ende pa u thirrur si palë në proces, në një tentativë për të ekuilibruar presionin që po bënte Edi Rama, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar me një letër që mban firmën e Altin Dumanit Gjykatës Kushtetuese. Në këtë dokument me 21 faqe, të datës 27 nëntor, SPAK-u pretendon se mbron interesin publik, se ka marrë masat më të lehta të mundshme ndaj zv/kryeministres, se ato janë të lejueshme nga kushtetuta, se nuk përbëjnë konflikt kompetencash, etj.

Ashtu siç dihet, Kushtetuesja përkohësisht nuk i mori parasysh këto dhe votoi pro Ramës. Pra, ata të cilëve sipas Ramës “…u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia”, humbën dy beteja përballë pushtetit ekzekutiv: edhe u detyruan të dorëzojnë “patllaket” tek Garda, edhe nuk e ruajtën dot pezullimin e Ballukut.

Përpos këtyre përplasjeve, një ditë më parë kishte ndodhur edhe një tjetër: ajka e diplomatëve perëndimorë, të akredituar në Tiranë, u tubuan së bashku në selinë e KLP-së për të ruajtur nga ndikimi i pushtetit politik zgjedhjen e Klodian Brahos si pasardhës i Altin Dumanit në krye të SPAK-ut. Edhe kjo shfaqje krijoi aromën e daljes së ajkës së drejtësisë së re nga kontrolli i kryeministrit.

Madje, vëzhgues të vëmendshëm që lexojnë mesazhet që jepen nën rreshta, e kanë interpretuar shfrimin e Edi Ramës kundër “agjentëve me patllake” të BKH-së si një kundërpërgjigje ndaj atyre që Klodian Braho tha kur kërkonte votat për t’u zgjedhur. Shefi i ri i SPAK, duke theksuar se institucioni i tij ishte kufizuar nga veprimet apo mosveprimet e policisë së shtetit, kërkoi “krijimin e një njësie taktike në mënyrë që, për çështje të caktuara, BKH ta realizojë vetë ekzekutimin e masave të sigurimit”. Pra, thënë shqip, të një skuadre që të shkonte vetë për të arrestuar, në zyrat e politikanëve të lartë apo kthinat e banditëve, pa pasur nevojën që kjo të bëhet nga policia e kontrolluar prej qeverisë. Mesazhi kundër ‘trimave me patllake’ ishte sinjali i Ramës që kjo s’do të mund të lejohet kurrë.

Pra, po t’i përmblidhim edhe luftën me deklarata, edhe betejën në Gjykatën Kushtetuese, edhe zgjedhjen e Brahos, po ashtu si dhe pretendimin e tij për t’i kryer vetë këtej e tutje arrestimet, krijohet përshtypja sikur Rama, nga njëra anë, dhe SPAK e BKH, nga tjetra, janë barikaduar në pozicione lufte me njëri-tjetrin. Por ka të ngjarë që e gjitha kjo të jetë një iluzion.

Praktika e deri tanishme ka treguar se “heronjtë e fëmijëve tanë” nuk kanë guxuar deri më sot as ta marrin në pyetje Edi Ramën, për çështje flagrante si ajo McGonigal, inceneratorët, koncesionet në shëndetësi apo denoncimi kundër të vëllait. Ata kanë vepruar si prokurorë që kanë mbi kokë një tavan të çeliktë, të padepërtueshëm.

Edhe kur agjentët e BKH-së kanë vajtur në Kryeministri, kanë dashur thjeshtë të zbatojnë masën e pezullimit të Ballukut. Edhe “fitorja” e Klodian Brahos është ajo e një prokurori që me inceneratorin nuk ka shkuar dot më lart se Koka apo Bllako, ndërsa në të shkuarën nuk ka pasur guxim të hetojë dosjen e përgjimeve për vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër. Pra, deri tani, edhe kur ka goditur brenda vathës së tij, SPAK duket se është kujdesur ta ruajë Edi Ramën.

Prandaj është shpejt dhe e nxituar të flitet për “përleshje” mes tyre. I vetmi shpjegim për përplasjet e tanishme mund të jetë ai se kryeministri, që ndihet i sigurtë për fatin e tij, nuk e toleron dot as faktin se drejtësia mund të ndërmarrë veprime pa i marrë leje paraprakisht.

“`

Scroll to Top