Rama mbështet Vuçiçin kundër Kosovës, kritika nga BE

“`html

Kur Vuçiçit i ngushtohet rrethi, Rama gati t’i dalë në ndihmë (madje edhe në dëm të Kosovës)

Në një shkrim të përbashkët botuar në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i dërgojnë Bashkimit Europian mesazhin se janë të gatshëm të pranojnë një anëtarësim të klasit të dytë, pasi nuk besojnë se anëtarësimi i plotë është i mundur. Fajin për këtë ia lënë BE-së.

Ata theksojnë se rajoni ka ndryshuar në mënyrë të paimagjinueshme. Sa i përket hyrjes në BE, shqiptarët mbeten optimistë, ndërsa serbët janë skeptikë. Është e vërtetë që rajoni ka ndryshuar, por jo gjithkund për të mirë. Serbia sot është një shtet autokratik, me liri të kufizuar të medias, pa drejtësi të pavarur dhe me korrupsion të madh. Beogradi po kritikohet gjithnjë e më shumë nga BE për shkak të regresit në shumë fusha.

Pse janë serbët skeptikë? Për shkak se fushata antiperëndimore e regjimit të Vuçiçit, si dhe afërsia me Rusinë dhe Kinën, kanë ndikuar që disponimi kundër BE-së në Serbi të forcohet edhe më shumë. Një pakicë e mbështet hyrjen në BE, ndërsa shumica ëndërrojnë për një vëllazëri ruso-serbe. Beogradi është shndërruar në qendër të spiunazhit rus. Nga aty koordinohen shumë veprime të agjenturave ruse në rajon dhe më gjerë. Para disa viteve, një takim i opozitës ruse në Beograd u përgjua nga autoritetet serbe dhe regjistrimet u dorëzuan në Kremlin. Kur opozitarët u kthyen në Moskë, ata u arrestuan menjëherë.

Shqipëria përballet me shumë vështirësi dhe vuan nga korrupsioni i qeverisë dhe partisë së Edi Ramës, por shoqëria shqiptare nuk është antiperëndimore. Këtu qëndron dallimi i madh me Serbinë. Duke ia zgjatur dorën një autokrati që lufton për mbijetesë politike – dhe i tillë është Vuçiç – Edi Rama edhe njëherë dëshmoi se në politikën e tij të jashtme ka dy konstante: tregimin e përrallave patriotike sa i përket Kosovës dhe kultivimin e një raporti të pafalshëm përqafues ndaj liderit në Beograd.

Shkrimi në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” nuk përmban ndonjë risi. Se dëshiron që Shqipëria të hyjë në BE pa të drejta të plota, këtë Edi Rama e ka thënë edhe më parë. Pse duhet ta thotë këtë bashkë me Vuçiçin? Sa herë që autokrati serb ndodhet në vështirësi, Edi Rama është i gatshëm t’i dalë në ndihmë. Kur BE kërkon nga Vuçiçi t’i vërë sanksione Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, kryeministri i Shqipërisë i kërkon Brukselit dhe kryeqyteteve të tjera të fuqishme të mos i bëjnë presion Vuçiçit.

Në shtator 2022, pak muaj pasi Rusia nisi luftën për të pushtuar mbarë Ukrainën, Rama i tha gazetës austriake “Die Presse”: “Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbajtur kërcënimin potencial larg Ballkanit. Prandaj, nuk duhet të ushtrohet më presion ndaj Serbisë për të vendosur sanksione kundër Rusisë. Sanksione të tilla nuk janë të mundshme, sepse Serbia nuk mund të mbijetojë pa Rusinë. Përveç kësaj, qeveria dhe presidenti Aleksandar Vuçiç nuk do t’i mbijetonin dot politikisht sanksioneve kundër Rusisë. Serbia tashmë ka mbajtur një qëndrim. Nuk duhet të harrojmë se Beogradi ka votuar tashmë tri herë kundër Rusisë në OKB. Kjo është një surprizë e madhe. Është gjithashtu një shenjë se ka një vullnet të fortë në Beograd për t’u integruar në BE”.

Ka aq shumë të pavërteta në këtë deklaratë. Serbia mund të mbijetojë pa Rusinë. Serbia nuk mbijeton pa BE-në. Volumi tregtar i Serbisë me BE-në është mbi 60 për qind, me Rusinë nën 5 për qind. Serbia ka votuar në OKB për rezoluta që përkrahin integritetin territorial të Ukrainës, por vota e saj nuk ka qenë antiruse, siç pretendon Rama. Vota e Serbisë ka qenë e tillë me qëllim të qartë: përkrahim integritetin territorial të Ukrainës dhe presim nga bota që të mbështesë integritetin territorial të Serbisë (duke përfshirë Kosovën). E pasaktë është kur Rama thotë “se ka një vullnet të fortë në Beograd për t’u integruar në BE”. Ai vullnet nuk ka ekzistuar më 2022, nuk ekziston as sot.

Serbia ia shiti Rusisë industrinë e naftës vetëm pak muaj pasi Kosova shpalli pavarësinë më 2008. Dhe ia shiti me një çmim shumë të ulët, sipas ekspertëve. Për vetëm 400 milionë euro. Ky pazar nuk u bë për arsye ekonomike, por politike, sepse Rusia që nga atëherë, me veton e saj, bllokon çdo nismë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Muajt e fundit situata ka ndryshuar falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat i kanë bërë presion të madh Serbisë që t’ua marrë rusëve pronësinë mbi NIS-in. Kompania hungareze MOL ka shprehur gatishmëri për të blerë aksionet e rusëve në NIS për mbi 1 miliardë euro. Ndonëse u detyrua t’ua marrë rusëve ndërmarrjen e naftës, Vuçiç po mbijeton politikisht. Për çdo ditë ofendon parlamentarët europianë, parlamenti i kontrolluar prej partisë së tij ka miratuar një ligj që eliminon edhe pjesët e fundit të drejtësisë së pavarur, nëpërmjet një operacioni të gjerë po tenton të fusë nën kontroll edhe mediat e pavarura.

Kryeministri i Shqipërisë do të mund të shkruante një tekst të përbashkët me homologun e tij malazez, sepse është Mali i Zi që ka shumë gjasë të hyjë në BE, jo Serbia. Por ndaj udhëheqësve malazezë Rama sillet me përçmim dhe tallet me ta në forume ndërkombëtare.

Nga mesi i kësaj jave Aleksandar Vuçiç tha: “Nuk më shkon ndërmend të pranoj asnjë lloj njohjeje të Kosovës. (…) Nuk më shkon ndërmend të bisedoj për Kosovën jo me Marco Rubion, por as me Shën Pjetrin. Kosova është Serbi, ka qenë dhe do të jetë, dhe këtu mbyllet diskutimi”.

Në fund të javës Edi Rama ia shtron qilimin e kuq Vuçiçit, shkruan një tekst bashkë me të, e merr përdore dhe tenton ta prezantojë para opinionit europian si politikan me vlera europiane. Një lobim i tillë për Serbinë është vërtet i pashembullt në historinë e re të Shqipërisë.

Që Kosova nuk përmendet fare në tekstin e kryetarit të Serbisë Edi Rama dhe kryeministrit të Shqipërisë Aleksandar Vuçiç nuk është befasi. Shumë shtete të BE-së kanë qëndrim se Serbia duhet ta pranojë Kosovën para hyrjes në BE. A beson edhe kryeministri i Shqipërisë në këtë apo po tenton t’ia hap rrugën Serbisë drejt një anëtarësimi të dorës së dytë, por pa e njohur Kosovën?

Edi Rama vazhdon të ketë një qasje shpërfillëse ndaj Kosovës. Para se BE të vendoste masa ndëshkuese ndaj Kosovës, Edi Rama anuloi mbledhjet e përbashkëta me qeverinë e Kosovës. S’ka ndodhur as në kohën e Enver Hoxhës që Shqipëria të jetë prijatare në ndëshkimin e Kosovës. Me Edi Ramën ndodhin çmeritje të tilla.

Në qershor të vitit 2023, i vetëm, i dorëzoi Gjermanisë dhe Francës një draftstatut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Pa asnjë konsultim me Kosovën. Rama mund të kultivojë vesin e hatërmbetjes për shkak se kryeministri i Kosovës në kohën e aventurave të tij politike deshi të bënte karrierë politike edhe në Shqipëri, por ajo fazë ka marrë fund, andaj nuk ka asnjë arsye që qasja nënvleftësuese ndaj Kosovës të vazhdojë – me fjalë e me vepra.

Për shembull: kur e quan veriun e Kosovës “tokë e askujt” (siç bëri në tetor 2023, pak ditë pas sulmit terrorist të një bande të dirigjuar nga Beogradi). Më herët ishte aventura e tij me “Ballkanin e Hapur”, një projekt me Vuçiçin që nuk prodhoi asgjë, ndonëse Rama deklaronte se “BE, Gjermania, Franca dhe SHBA janë të trishtuara që Kosova nuk është pjesë” e “Ballkanit të Hapur”. Ky projekt tashmë është varrosur, pasi u kundërshtua edhe nga partitë kosovare që sot janë në opozitë. Askush nuk është i trishtuar, shtetet janë kthyer në kuadrin e “Procesit të Berlinit”, aty ku Kosova trajtohet si shtet dhe përfaqësuesit e saj nënshkruajnë në emër të Republikës së Kosovës.

Artikulli i botuar në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” nuk është manifest i dy burrështetasve për anëtarësim në BE, as zotim për reforma, por një elegji e dy hallexhinjve që realisht heqin dorë nga ambicia e madhe (anëtarësimi) për shkak se e dinë që në këtë rrugë ata janë pengesa më e madhe si pasojë e skandaleve të pafundme korruptive.

© Nga: Enver Robelli

“`

Scroll to Top