Rama mbledh sot qeverinë dhe grupin e PS
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot një mbledhje të përbashkët të Grupit Parlamentar dhe të qeverisë.
Mbledhja do të fillojë në orën 11:00 dhe do të hapet me një fjalë nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla. Më pas, fjalën kryesore do ta mbajë kryeministri Rama.
Gjatë mbledhjes do të referojnë gjithashtu drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, kryetari i Komisionit të Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku, dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili.
Kjo është mbledhja e parë e përbashkët e qeverisë dhe e grupit parlamentar pas Asamblesë Kombëtare Socialiste të mbajtur të shtunën e kaluar në Durrës. Në atë mbledhje, kryeministri Edi Rama njoftoi një sërë ndryshimesh në drejtuesit politikë të gjashtë qarqeve, të cilat lidhen me përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2027.
