“`html
Frikë para portës: Rama zhbllokoi Tiranën për Veliajn, por bllokon qeverinë për Ballukën
Mes figurave të afërta të Edi Ramës që po përballen me akuza korrupsioni, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku janë dy nga politikanët më të lartë të dëmtuar nga Gjykata kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua në zyrën e tij më 10 shkurt të këtij viti dhe prej dhjetë muajsh ndodhet në paraburgim, duke pritur të përballet me prokurorët e SPAK, të cilët i kanë ngarkuar 13 akuza. Nga ana tjetër, zv/kryeministrja dhe ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, megjithëse jo në pranga, ka pasaportën e sekuestruar, është pezulluar nga detyra dhe ndodhet nën një hetim që zgjerohet dita-ditës.
Krahasimi i reagimeve të Edi Ramës ndaj këtyre dy rasteve nxjerr në pah një dallim thelbësor, i cili vë në dyshim shqetësimin e tij për parimin e ndarjes së pushteteve dhe sugjeron se arsyet e veprimeve të tij për Ballukën janë thjesht për vetëmbrojtje personale.
Rama kundër krizës “Veliaj”
Menjëherë pas arrestimit të Veliajt, reagimi i parë i Ramës ishte emocional. Ai u shpreh i inatosur në rrjetet sociale, duke kritikuar drejtësinë. Kryeministri e cilësoi hetimin e Veliajt si “jashtë kuadrit kushtetues” dhe arrestimin e tij në zyrë si “shkelje të standardeve demokratike”. Ai deklaroi se gjykatësi i kishte hequr bashkisë së Tiranës “kokën nga shpatullat”, duke e lënë pa drejtim një kryeqytet me probleme të shumta.
Megjithatë, në praktikë, veprimet e Ramës shkuan në drejtim të kundërt me retorikën e tij. Sapo Veliaj u izolua, kryeministri filloi të pengonte çdo përpjekje për një protestë kundër SPAK-ut. Rama mblodhi punonjësit e bashkisë dhe u bëri të qartë se “lëvizja Veliaj” kishte marrë fund dhe se ai vetë do të drejtonte “skuadrën e bashkisë”. Protestat u ndaluan dhe mesazhi ishte i qartë: kishte ende punë për të bërë dhe projekte për të realizuar.
Më pas, kryeministri ndërhyri drejtpërdrejt në bashki, duke larguar nga detyra njerëzit e Veliajt. Ai refuzoi emërimin e Sara Goxhajt si nënkryetare, pavarësisht se emërimi ishte miratuar nga Veliaj nga qelia e paraburgimit. Vendimi i Veliajt u shpall i pavlefshëm dhe bashkia kaloi nën menaxhimin e qeverisë. U përfol gjithashtu se Veliaj kishte përgatitur një plan për të lënë punët e bashkisë në mëshirë të fatit në rast arrestimi, duke shkaktuar kaos dhe presion ndaj SPAK-ut. Kjo mund të ketë qenë arsyeja pse Rama vendosi të marrë në dorë drejtimin e bashkisë, duke shpërfillur parimin e ndarjes së pushteteve.
Disa muaj më pas, Veliaj u zëvendësua nga Asambleja e PS-së, me arsyetimin se “Tirana ka punë të mëdha”. Brenda dy javësh, Këshilli Bashkiak e shkarkoi Veliajn, dhe me miratimin e kryeministrit dhe presidentit, u shpallën zgjedhje të parakohshme, të cilat më pas u ndaluan nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, qëndrimi i Ramës tregon se ai nxitoi të mos e mbante qytetin peng për hir të një personi me probleme korrupsioni, duke preferuar të “presë kokën” e Veliajt nga bashkia për të shmangur bllokimin e punëve.
Përpjekjet e Ramës për të krijuar krizën “Balluku” në qeveri
Në rastin e Belinda Ballukës, logjika politike e Ramës ndryshon rrënjësisht. Ai e mbron Ballukën duke u shprehur kundër vendimit të gjykatës, duke e cilësuar si cenim të “parimit të ndarjes së pushteteve” dhe rrezik për një “precedent unik dhe kërcënues”. Rama banalizon vendimin e gjykatës, nuk shfaq shqetësim për korrupsionin në qeverinë e tij, por argumenton se pezullimi i një ministri nga një prokuror dhe një gjykatës cenon pavarësinë dhe funksionimin e ekzekutivit, duke marrë kompetencat e kryeministrit, presidentit dhe parlamentit.
Ndërsa për Veliajn Rama mori masa për të shmangur krizën, në rastin e Ballukës, qëndrimi zyrtar u shoqërua me veprime konkrete kundër vendimit të GJKKO. Këshilli i Ministrave ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e gjykatës, dhe Rama refuzoi të zëvendësonte Ballukën në kabinet deri në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Ai pranon se ministria e energjisë nuk funksionon më, duke e kthyer këtë në një strategji presioni ndaj gjykatës.
Rama përshkruan me ton dramatik pasojat e mungesës së Ballukës, duke numëruar aktet e pezulluara, përfshirë ato për rindërtimin dhe një marrëveshje me Kanadanë që mund të ndikojë në fillimin e fluturimeve në vitin 2026. Ai ka pranuar se nuk do të zëvendësojë Ballukën, në mënyrë që dëmi institucional të përdoret si argument në gjykatë.
Rama ka forcuar argumentin e tij me shembullin e dy drejtorëve të ARRSH dhe drejtorit të KESH, të cilët janë në arrest shtëpie për aferën e tunelit të Llogarasë. Ai deklaron se kjo situata lë pa drejtues dy institucione kyçe dhe se boshllëku nuk mund të plotësohet, pasi ligji jep të drejtën e emërimeve ekskluzivisht ministrit. Kryeministri, në thelb, refuzon t’i japë zgjidhje bllokadës së qëllimshme të shtetit derisa Gjykata Kushtetuese të marrë vendimin.
Arsyet, pse Rama po vepron në këtë mënyrë për Belinda Ballukën
Strategjia e Ramës për të mbrojtur Belinda Ballukën përmes një krize institucionale, ndryshe nga moslejimi i krizës për Erion Veliajn, nuk është rastësi. Shpjegimi qëndron në pozicionin e Ramës në secilën prej dosjeve.
Në dosjen e akuzës për Erion Veliajn, Rama nuk ka asnjë lidhje direkte. Dosja fokusohet në pasurinë e Veliajt, shpenzimet e bashkëshortes së tij dhe marrëdhëniet e kompanive të saj me ndërtues. Rama u mjaftua me deklarata publike dhe më pas zëvendësoi Veliajn disa muaj pas arrestimit.
Në rastin e Ballukës, situata është krejt tjetër. Ekzistojnë foto publike që tregojnë se Rama dhe Balluku udhëtuan drejt Ankarasë për t’u takuar me kompaninë turke që do të fitonte tenderin e dytë për tunelin e Llogarasë, me një diferencë prej 50 milionë eurosh më shumë. Si vartëse e kryeministrit, Balluku ka pasur një rol dytësor në marrëveshjen që cenoi barazinë e tenderëve, dhe si e tillë, rrezikon të implikojë Ramën në procesin gjyqësor. Për më tepër, vendimi për pezullimin e Ballukës nga detyra krijon rrezikun e një vendimi të ngjashëm drejtpërdrejt për kryeministrin në detyrë.
Prandaj, kryeministri ka nxituar të krijojë një krizë qeveritare si formë presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese. Dallimi në sjelljet e Edi Ramës ndaj Erion Veliajt dhe Belinda Ballukës tregon se arsyeja e vërtetë e krizës qeveritare nuk është “parimi i ndarjes së pushteteve”, por garancia që i duhet Ramës se SPAK dhe GJKKO do të vazhdojnë të respektojnë paktin e krijimit të tyre, duke treguar se paprekshmëria me drejtësinë e re ka një emër: Edi Rama.
“`
