“`html
Strategjia: Rama bllokon punët e qeverisë për të mbrojtur “Belën”
Kryeministri Edi Rama ka vendosur të bëjë çmos për të mbajtur në detyrë ministren Belinda Balluku. Ai ka sjellë shembuj të punëve të qeverisë që janë bllokuar për shkak të pezullimit të saj nga detyra, duke përmendur rastin e marrëveshjes për fluturimet direkte me Kanadanë.
Rama theksoi se janë bllokuar edhe 35 leje të tjera ndërtimi për projekte dhe godina publike, të cilat kërkojnë firmën e ministres për të vijuar. “Këto janë punë të bllokuara që do shtohen çdo ditë, prandaj kam shkuar në Gjykatën Kushtetuese,” u shpreh ai.
Gjatë një komunikimi në Facebook dedikuar çështjes Balluku, kryeministri deklaroi se nuk ka ndërmend ta shkarkojë atë. Sipas tij, kjo nuk është çështje emri, por një çështje parimore lidhur me ndarjen e pushteteve. Ai paralajmëroi se pezullimi i një ministri nga gjykata do të krijonte probleme për qeveritë e ardhshme.
“Heqja e ministrit nuk do ta zgjidhte këtë problem, por do krijonte një problem themelor për të nesërmen,” tha Rama. “Jo për mua, por për çdo qeveri, pasi ideja se ministrat mund të hiqen pa gjyq, pa dorëheqje, pa vendim të kryeministrit, por thjesht me një masë sigurie, do të kthehej në një precedent që do dëmtonte qeveritë, parlamentet dhe votën popullore.”
Kryeministri shpjegoi se shembujt që sjell synojnë të tregojnë se sa i tepërt është në fakt pezullimi i një ministri. Ndryshe nga çdo funksionar tjetër publik, ministri i pezulluar jo vetëm që nuk mund të firmosë asgjë, por bllokon edhe të gjithë zinxhirin e vendimmarrjes në dikasterin që ai drejton, pasi autoriteti kushtetues i takon ekskluzivisht atij.
Ai përmendi sërish marrëveshjen me Kanadanë, duke shprehur zhgënjimin që ajo po bllokohet pas përpjekjeve të mëdha për hapjen e fluturimeve transoqeanike. Po ashtu, ai vuri në dukje bllokimin e lejeve të ndërtimit për investime në energji të rinovueshme, infrastrukturë dhe godina publike, të cilat kërkojnë firmën e ministres.
“Unë flas për cenimin konkret të balancës mes pushteteve, për ndërhyrjen brutale në përbërjen e qeverisë, për marrjen e kompetencave që Kushtetuta ia jep kryeministrit,” tha Rama. Ai shtoi se kjo betejë institucionale, aspak politike, për të hequr të parin pezullim të një ministri me vendim gjykate, nuk ka lidhje me emrin e ministrit, por me mbrojtjen e parimit të ndarjes së pushteteve.
“`
