Rama në mbrojtje të Veliajt, e quan paraburgimin “disproporcional”
Kryeministri Edi Rama e cilësoi “disproporcional” paraburgimin e kryebashkiakut të Tiranës, duke nënvizuar parimin e prezumimit të pafajësisë dhe duke kritikuar “gjyqin publik” ndaj tij.
Rama deklaroi se, pavarësisht vendimit të ndryshëm të Gjykatës Kushtetuese nga interpretimi i mazhorancës, qeveria do të mbështesë Bashkinë e Tiranës për vijimin e dëgjesave dhe procesit të buxhetit. Ky proces do të zhvillohet në bashkërendim me drejtuesen politike të qarkut, Ogerta Manastirliu.
“Ka edhe një buxhet tjetër, ai i Bashkisë së Tiranës, që dëgjesat duhet ti bënte kryetari i bashkisë i cili është në burg pa gjyq. Ne jemi në një paradoks shumë të madh,” tha Rama. Ai shtoi se momenti kur kryebashkiaku u mor nga zyra për t’u futur në qeli si i paraburgosur, gjë që normalisht ndodh vetëm për persona shumë të rrezikshëm, ai e quajti disproporcional.
“Kush duhet hetuar, duhet hetuar, por deri kur gjykata e nxjerr fajtor, është i pafajshëm,” theksoi Rama. “Në qoftë se njeriu e merr e fut brenda dhe lëshohet të gjithë hienat politike t’i bëjnë gjyqin, ndodh siç ndodhi dikur: vjen dënimi publik pastaj pjesa tjetër.”
Rama shpjegoi më tej se, duke parë që të gjitha shkallët e gjykatës nuk e kishin penguar kryetarin të kryente detyrën, ata menduan se Tirana nuk ka arsye të paguajë. “Ne menduam me respekt të plotë të ligjit, sepse ligji thotë, kushtetuta më saktë, tjetër gjë thotë për deputetin, tjetër gjë për të zgjedhurin lokal. GJK doli me një vendim tjetër nga i yni.”
“Nuk ka asnjë arsye të dyshoj që e kam parë nga një këndvështrim i arsyeshëm, pavarësisht se i kundërt me tonin,” përfundoi Rama. “Ne po e mbështesim bashkinë që të bëjë më të mirën për buxhetin dhe menduam me Ogertën si drejtuesja politike e qarkut, që të vazhdojmë të komunikojmë në këto dëgjesa si kjo sot.”
