Kryeministri Rama: Ndërtimi i kullave në Tiranë nuk është krim, por kontribuues të ardhurash
Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të një projekti luksoz rezidencial në Tiranë nga kompania “Pajton”, deklaroi se është e papranueshme që transformimi i Shqipërisë, i cili bëhet i prekshëm nga sektori i ndërtimit, të etiketohet si produkt i krimit.
Kryeministri Rama tha se projektet e reja janë dëshmi e rritjes së qëndrueshme të ekonomisë. Ai nënvizoi se, pavarësisht se çmimet e ndërtimeve të reja në Tiranë mbeten të papërballueshme për shtresën e varfër dhe të mesme, këto zhvillime po sjellin arkëtimin e taksës së strehimit prej 3%, e cila kontribuon në strehimin e përballueshëm.
“Jo çdo gjë në sektorin e ndërtimit është e pastër si drita e diellit. Këtë transformim të Shqipërisë, që sektori i ndërtimit e bën të prekshëm për këdo që vjen dhe viziton Shqipërinë, ta fusim në kornizën e krimit është e neveritshme dhe e papranueshme. Ka shumë arsye pse Shqipëria po zhvillon ndërtime të tilla. Është e pamundur që disa të pranojnë suksesin e Shqipërisë, ashtu siç është për ne e papranueshme që ndërtuesit të futen në një thes. Vetëm nga ky projekt, ende pa filluar puna, Bashkia e Tiranës ka marrë 14 milionë euro taksa, një shumë e konsiderueshme.”
Kryeministri shtoi se, kur projekti të përfundojë, komuniteti do të përfitojë një kopsht, ndërsa Bashkia e Tiranës një shkollë, pasi investitorit t’i jepet trualli. Ai sqaroi se në këto 14 milionë euro përfshihet edhe pjesa prej 3% që dedikohet për strehimin.
“Pa diskutim që këto apartamente nuk i blejnë personat e varfër apo ata që jetojnë me paga të ulëta apo mesatare. Por nga ndërtimi i tyre, Bashkia e Tiranës merr një taksë prej 3% vetëm për strehimin, për të ndërtuar dhe kontribuar në strehimin e përballueshëm. Transformimi i Tiranës nuk ka lidhje me krimin.”
Duke dhënë shembuj konkretë, Rama theksoi se 350 apartamente në projektin në fjalë, ose një e katërta e tyre, janë blerë nga diaspora dhe pagesat nuk janë bërë në cash, por nëpërmjet bankave.
“Prandaj është e rëndësishme që njerëzit të informohen. Ne po përpiqemi që, duke folur vetë, t’u tregojmë atyre që duan të informohen efektet zinxhir të një ekonomie që po rritet në mënyrë të qëndrueshme.”
Kryeministri Rama përmendi disa figura, duke i lidhur ato me projekte ndërtimore të suksesshme dhe duke i pyetur publikisht për lidhjen e tyre me krimin:
- “Çfarë lidhje ka demokrati Ramë Geci me krimin? Ai ka ndërtuar kullën më të lartë në Tiranë, hotelin Intercontinental.”
- “Ç’lidhje ka një kompani që eksporton në gjithë rajonin, siç është kompania Brunes, por edhe që ndërton, me krimin?”
- “Ja ku është edhe demokrati tjetër, Avenir Kika, që ka ndërtuar plot apartamente për njerëzit; çfarë lidhje ka me krimin?”
Ai përfundoi duke thënë se të gjitha këto projekte kontribuojnë në rritjen e ekonomisë dhe krijimin e besimit. “Këto nuk janë fjetore, por janë ndërtime që do të na përfshijnë në një botë të integruar të BE-së. Këto nuk janë skena krimi, por prova të një transformimi të madh”, tha Rama.
