Rama në NATO: Jam artist, pa doktoraturë, jo ekspert

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Konferencën e 3-të të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s në Tiranë, ku iu drejtua pjesëmarrësve me një fjalim. Gjatë fjalës së tij, Rama shprehu kënaqësinë për mikpritjen e delegacioneve të shumta të vendeve anëtare dhe partnere të Aleancës.

Kryeministri bëri komente rreth sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë nga Irani, duke theksuar se qeveritë shpesh nuk marrin meritat për parandalimin e kërcënimeve. Ai përmendi investimet e bëra në infrastrukturën dixhitale si një hapje drejt një të ardhmeje më të pastër nga ryshfetët dhe një përmirësim të marrëdhënieve mes qeverisë dhe qytetarëve.

“Ne kemi investuar në infrastrukturën tonë dixhitale, për një qëllim të rëndësishëm, në mënyrë që të bëjmë një kapërcim e të lëmë pas krahëve një histori të rëndë ryshfetesh,” tha Rama.

Në një moment, Rama shkëmbeu batuta, duke u shprehur se është i vetmi në qeverinë e tij pa doktoraturë dhe se e konsideron veten thjesht artist. Ai gjithashtu theksoi se nuk është gjeneral apo ekspert kibernetik.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, foli përmes një videomesazhi, duke e cilësuar tastierën si një “armë lufte” në epokën digjitale. Ai siguroi se NATO do të vazhdojë të përforcohet në hapësirën kibernetike dhe se askush nuk qëndron i vetëm përballë kërcënimeve.

“Tastiera është armë lufte që shënjestron shoqëritë tona çdo ditë. Po rrisim investimet në hapësirat kibernetike. Vendet janë përgjegjëse për mbrojtjen, por NATO ofron rrjet unik,” tha Rutte.

Konferenca shërben si një platformë për shkëmbimin e njohurive dhe forcimin e bashkëpunimit përballë kërcënimeve kibernetike.

Leave a Comment

Scroll to Top