Mër. Jan 23rd, 2019

Rama në Twitter: Unë, ministër i Jashtëm. Shkeljet e presidentit, në Kushtetuese

Kryeministri Rama ka zyrtarizuar përmes Twitterit atë që u përfol nga burime brenda Partisë Socialiste, pas mbledhjes së Kryesisë këtë të hënë.

“Presidenti s’e ka zhdekretuar ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues. Shkelje e radhës, që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese. Deri atë ditë, që vjen shumë shpejt, do të jem ‘de jure’ në këtë rol, sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit”, shkruan Rama në Twitter.

Më herët, pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste u diskutuan hapat e ardhshëm për të zgjidhur ngërçin Qeveri-President.

Sipas burimeve nga Partia Socialiste, ishin dy versione në tryezë për të zgjidhur çështjen e ministrit të ri të Jashtëm, pas mosdekretimit të Gent Cakajt nga Meta. Rama, ose do të çonte sërish emrin e Gent Cakajt, ose vet ai do të propozohej në postin e ministrit të Jashtëm.

Ndërsa për ta zgjidhur ngërçin Kryeministri-Presidencë, PS-ja do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të shprehet vetëm kur të mund të bëhet funksionale, çështje që do të marrë kohë.

E derisa kjo e fundit të shprehet, Rama do ta mbajë vet përkohësisht postin e ministrit të Jashtëm, e njëjta formulë si në Greqi me kryeministrin Alexis Tsipras, pas largimit të Nikoz Kotzias si ministër i Jashtëm.

PS ka përjashtuar votimin e Cakajt drejtpërdrejt në Parlament, pasi nuk duan t’i përgjigjen shkeljes me shkelje. Po ashtu, socialistët do t’i votojnë në bllok ndryshimet në qeveri, të gjithë ministrat e rinj.

InfoPasqyra/tch

Kategori