Përplasja me ambasadat/ Rama: Nuk lejoj njeri të më shohë nga lart poshtë
Kryeministri Edi Rama ka pranuar përplasjet me faktorin ndërkombëtar lidhur me mbrojtjen e Belinda Ballukut dhe mosheqjen e imunitetit të saj, ngjarje e cila një ditë më parë në Kuvend shkaktoi reagime nga disa përfaqësi diplomatike.
“Është një çështje korrupsioni, ndërkohë vetë prokuroria nuk ka ngritur akuzë, por për një çështje në hetim, e cila mund të hetohet lirshëm pa as më të voglën pengesë. Përsëris atë që thashë para grupit parlamentar: Unë inkurajoj prokurorinë që të ndjekë dhe të hetojë të gjitha pistat ku mund të mendohet se mund të shfaqet ferrë e korrupsionit. Deri tani nuk jemi përballë një çështje korrupsioni.
Nga ana tjetër, është e vërtetë që kemi pasur debat me disa nga partnerët tanë lidhur me qasjen ndaj kësaj çështjeje. Dhe sikurse besoj e dinë shumica, por pakica bën sikur nuk e di, unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët, interesin e vendit. Një nga normat e padiskutueshme të këtij përfaqësimi është t’i shikoj partnerët në sy, të më shikojnë në sy, në të njëjtën lartësi. As mua nuk më shkon mendja të shikoj njeri nga lart poshtë, po as nuk pranoj të më shikojë njeri nga lart poshtë.
Përtej mënyrës se si është paraqitur nëpër pazare politike, diskutimet tona kanë qenë konstruktive. Nuk ka pasur asgjë nga ato që janë thënë sa i përket tensionit apo presionit apo kërcënimit. Këto janë gjëra që nuk ndodhin në ato nivele ku bëhen këto diskutime. Dhe besoj se edhe deklaratat e bëra dje nga disa përfaqësi janë të qarta,” – tha Rama.
