Rama: Operator Kombëtar i Ujit & Mbetjeve, zgjidhje strategjike

Rama: Do të ngrihet Operatori Kombëtar për Ujin dhe Mbetjet

Gjatë një takimi me banorët e Njësisë nr. 2 në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka njoftuar planet për krijimin e një Operatori Kombëtar për Ujin dhe Mbetjet. Takimi, i cili u fokusua te buxheti i vitit 2026 dhe problemet aktuale, nxori në pah shqetësimet e qytetarëve lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm.

Kryeministri deklaroi se është caktuar një drejtues për projektet e reja të ujit të pijshëm në kryeqytet dhe për zgjidhjen e tyre. Ai njoftoi krijimin e një Operatori Kombëtar të Ujit, duke u shprehur se ky model do të funksionojë ngjashëm me operatorët ekzistues të energjisë dhe sektorëve të tjerë.

“Tirana nuk vuan për ujë, ka burime të konsiderueshme. Por ne do të ngremë edhe një Ndërmarrje Kombëtare të Ujit, siç janë ato të energjisë, shpërndarjes, pra do të kemi edhe Operatorin Kombëtar të Ujit, që ta ngremë në një nivel apo shkallë tjetër. Do shfrytëzojmë çdo mundësi për të realizuar edhe partneritet strategjik me kompani të mëdha ndërkombëtare, që kanë eksperiencë dhe që do shërbejnë”, u shpreh kryeministri.

Duke iu referuar problematikës së mbetjeve urbane, Rama theksoi se kjo është çështja më sfiduese për vendin dhe kërkon zgjidhje.

“Tani ka edhe një çështje tjetër që ju nuk e ngritët si pyetje por unë dua ta trajtoj. Problem është edhe çështja e mbetjeve, rritja e volumit të mbetjeve. Ndjehet shumë në vendet ku ka turizëm por edhe në Tiranë, pasi është rritur numri i banorëve dhe konsumit. Edhe për këtë do të ngremë një Operator Kombëtar të Mbetjeve, për trajtimin e tyre, përfshi edhe Tiranën si një nga qytetet kryesore. Gjithashtu të gjitha gjërat që duhet të ishin bërë, që nuk janë bërë, ato do të bëhen. Edhe në aspektin e standardeve që do të rrihen, do jetë një proces i pakthyeshëm”, përfundoi Rama shpjegimin e tij për banorët.

Scroll to Top