Dialogu me Serbinë/ Rama përsëri thekson probleme në Kosovë
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në një panel të organizuar nga Chatham House, me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”. Gjatë diskutimit u fokusua edhe çështja e Kosovës dhe sfidat e saj në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
I pyetur rreth situatës së Kosovës dhe kërkesave të Bashkimit Europian për zgjidhjen e çështjeve territoriale para përparimit në anëtarësim, Rama theksoi se nuk ekzistojnë probleme territoriale mes Kosovës dhe fqinjëve të saj.
“Territori i Kosovës është i përcaktuar dhe i njohur. Kosova është një republikë e re demokratike, e njohur nga fuqitë më të mëdha botërore. Nuk shoh asnjë problem në këtë drejtim,” u shpreh Rama.
Megjithatë, kryeministri theksoi se përgjegjësia për përparimin e Kosovës qëndron te vetë ajo, duke shtuar se “Kosova duhet të harrojë Serbinë dhe të përmbushë pikat e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, pavarësisht qëndrimit të Serbisë. Ata duhet t’ia lënë Serbisë topin në fushë dhe Evropës ta marrë përsipër çështjen me Serbinë, pa u kthyer kjo në një problem fajësimi”.
Rama shtoi se kjo është pikëpamja e tij personale, por se ai respekton plotësisht vendimet dhe prioritetet e udhëheqësve të zgjedhur të Kosovës në interes të popullit dhe vendit të tyre.
