Rama për Nanon: Dashuri pas burgut dhe akuzave

Rama në homazhet e Nanos: Sa të paskan dashur edhe ata që të dërguan në burg

Kryeministri Edi Rama kujtoi marrëdhënien e veçantë dhe miqësinë me ish-kryeministrin Fatos Nano, duke e cilësuar ndarjen nga jeta të tij si një humbje të madhe njerëzore dhe politike. Në fjalën e tij, ai shtoi me ironi dhe dhimbje se pas lajmit të ndarjes së tij nga jeta, edhe ata që dikur e kishin sulmuar e akuzuar, nuk ngurruan ta shprehnin adhurimin për të.

Rama tha: “I thonë një fjalë, vdis pa të të dua. Sa do të doja i dashur Fatos, të uleshim sonte, në një nga ato darkat tona të rralla të viteve të fundit, plot me shijen e ajrit të pastruar mes nesh dhe të kalonim deri vonë në atë revistën tonë të ngjarave dhe të personazheve të ndryshëm. Ca u tha për ty që kur doli lajmi që ti këtë herë ike përgjithmonë.

Po sa të paskan dashur, morë burrë i dheut. Po edhe ata që nuk të lanë shkop ndër rrota pa të vënë dhe gurë në kurriz pa të hedhur, mezi kishin pritur të tregonin dashurinë dhe adhurimin sapo ta merrnin vesh që nuk do t’i hapësh më sytë. Deri tek ata që të dërguan në burg, që të akuzuan si vjedhës dhe erdhën të të vrasin në zyrë dhe të lëshuan mbi fytyrë tërë të zezat e gjuhës shqipe, veç ta shihje si ti kanë qëndisur aq bukur fjalët e admiratës së tyre.

Plasja me vjen që nuk do jemi sonte në një darkë që nuk do kishte të paguar.”

Scroll to Top