Hën. Sht 24th, 2018

Rama përgjigjet: Ja ku isha në këto 5 vite

TIRANË, 8 shtator /ATSH- I. Vata/ – “Isha në krye të Qeverisë kur për 600 mijë qytetarë të pasiguruar, vizita te mjeku i familjes u bë falas, hoqa taksën 10% të barnave dhe shërbimeve mjekësore, libra falas për 100640 fëmijë në nevojë dhe sot libra falas nga klasa e 1-4, ulëm taksat për 97% të shqiptarëve. Shqipëria bëhet nga 1 janari vendi ku 93 % e biznesit paguan 5% taksa”, theksoi kryeministri Edi Rama, në rubrikën “Përgjigja ime”.

Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Përgjigjja ime” i përgjigjet një qytetari në lidhje me vizitën në familjen me vështirësi ekonomike.

Qytetari i drejtohet kryeministrit se “nuk mund të zhdukësh varfërinë e shqiptarëve, duke bërë dy apo tre vizita të familjet me vështirësi ekonomike”.

Në përgjigje të tij, kryeministri Rama shprehet se “vlerësimet e tua janë të pamerituara sepse unë e kam bredhur më këmbë Shqipërinë sa të gjithë politikanët e marrë së bashku në afro 30 vitet e fundit”.

“Ia njoh gjymtyrët dhe damarët këtij vendi dhe jetoj me realitetin e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, sa nuk të vë dot faj as ty dhe as njeriu tjetër, deri sa nuk e ke idenë sesa gabon kur mendon të kundërtën. Pastaj sa i zoti jam që dhimbjen dhe shpresat që më ushqen kontakti i pandërprerë me realitetin t’i kthej në fuqi ndryshimi dhe në rezultate konkrete për njerëzit, kjo është një temë tjetër”, shton kryeministri.

Duke qëndruar te komenti i qytetarit, Rama shprehet se “unë nuk kam se si mendoj se do të shuaj skamjen me vizitat në shtëpitë e atyre që jetojnë në kushte skamjeje, por unë nuk mendoj se as këto vizita janë humbje kohe, siç shkruan ti”.

Arsyeja pse Kryeministri zgjodhi këtë koment është e qartë, “ku isha unë këto 5 vjet?”.

Kryeministri thotë: “Isha në krye të qeverisë kur për 600 mijë qytetarë të pasiguruar, vizita te mjeku i familjes u bë falas dhe u vendos rimbursimi i barnave njësoj si për të gjithë të tjerët, më parë qytetarët si Hyseni Niko e të tjerë duhet të paguanin me lekë në dorë.

Isha në krye të qeverisë kur u hoq taksa 10% e barnave dhe e shërbimeve mjekësore. Isha në krye të qeverisë kur numri i fëmijëve nga familje të kategorive të ndryshme në nevojë që përfituan libra falas arriti në 100640, dhe jam sot në qeveri kur librat e shkollës shpërndahen falas nga klasa e parë deri në të katërtën.

Isha në krye të qeverisë ku përveç librave u vendos kompensimi financiar me lekë në dorë për 59 mijë fëmijë për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike.

Ku isha këto pesë vjet? Isha në krye të qeverisë kur u hoq ndihma ekonomike e pjesshme dhe sot ka vetëm ndihmë ekonomike të plotë e cila është trefish nga ç’ishte. Ishte 15-30 mijë katër vjet më parë, sot është 45-80 mijë dhe sot masa mesatare është 56 mijë.

Është shumë pak, por është trefish nga ç’ishte. Isha në qeveri ku për 2600 të moshuar u vendos pension social, ndërkohë që deri atë ditë nuk merrnin një qindarkë nga shteti dhe ishin krejtësisht të braktisur”.

Duke iu drejtuar qytetarit, Rama shprehet se “ti e paske njohur Hysenin dhe të paska ardhur shumë keq sesi i kishin prerë dritat një herë e një kohë, ndërkohë që unë sipas teje s’paskam pas ra me këmbë në tokë asaj kohe?

“Dallimi mes meje dhe teje është se ti ke  zemër dhe unë kam një gur aty ku ti ke zemrën, por unë kam për detyrë të shoh më larg se ti dhe të më vijë keq jo vetëm për Hysenin dhe Nikon sot, por dhe për fëmijët e tyre nesër. Megjithatë, isha në krye të qeverisë ku me heqjen e fashos 300 kw, ne vumë 16 milionë dollarë që çdo vit buxheti i shtetit ia çon Nikos, Hysenit dhe 200 mijë familjeve për të kompensuar efektin e reformës. Unë isha në krye të qeverisë edhe kur ulëm taksat për 97% të shqiptarëve dhe jam sot në krye të qeverisë ku me uljen më të fundit të taksës për biznesin e vogël deri në 140 milion xhiro në vit, Shqipëria bëhet nga 1 janari vendi ku 93 % e biznesit paguan 5% taksa.

Nuk dua të kujtoj njeri se po them se sa shumë janë bërë ndërkohë dhe janë mjaft për t’u bërë. Edhe pse raportet e BB për varfërinë e shënojnë qartësisht progresin e bërë, unë jam tejet i pakënaqur me kaq. Nuk kam nisur t’i bëj tani këto vizita sot, i kam bërë edhe më parë, por do t’i bëj shumë më tepër dhe jo për filma, por për një arsye të thjeshtë sepse unë besoj te njerzillëku i pushtetit”, përfundon Rama. /j.p/

Kategori