Rama tregon punët që vetëm Belinda Balluku mund t’i bëjë
Kryeministri Edi Rama ka shprehur shqetësimin se vetëm Belinda Balluku, e cila është e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, mund të firmosë një marrëveshje që i ka mbetur në tryezë. Për shkak të pezullimit të saj nga detyra nga gjykata, marrëveshja për fluturimet ka mbetur pezull.
Rama e ka ndarë këtë shqetësim në një status në rrjetin social X, duke theksuar se vendimi i gjykatës i ka penguar punën, pasi edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kanë mbetur pa u firmosur.
“Çdo ditë që pezullimi i ministrit zgjatet, zgjatet edhe lista e punëve të bllokuara,” ka shkruar Rama. Ai është komentuar si “shejtan-budalla” pasi mund ta shkarkonte menjëherë Belinda Ballukun dhe ta zëvendësonte me një ministër ose ministre të ri, i cili respekton procedurat e tenderave dhe nuk përfshihet në akte korruptive, duke hapur kështu rrugën për një hetim të ndershëm dhe të pandikuar nga politika.
Meqenëse nuk e shkarkon dot Ballukun, kryeministri duket se përpiqet të mashtrojë qytetarët, duke paraqitur fajin te gjykata dhe vendimet e saj, si dhe duke sugjeruar se zyrtarët e korruptuar duan thjesht të kryejnë detyrën.
Mesazhi i plotë i Ramës:
“Ja konkretisht nga tryeza ime e punës sot, shembujt konkretë, krejt aktualë, pse unë i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese heqjen e pezullimit absurd të një anëtari të qeverisë dhe pse të pezullosh një ministër (për herë të parë në botë) sjell pasoja që cënojnë konkretisht funksionimin e qeverisë dhe interesin publik:
- Kanë përfunduar diskutimet në nivel teknik dhe kthim-përgjigja pozitive e palës kanadeze, i ka hapur rrugë lidhjes së marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e fluturimeve ajrore transoqeanike midis dy vendeve. Mirëpo kjo procedurë, aktualisht nuk mund të vijojë me hapat e mëtejshme të miratimit e të nënshkrimit të saj, pasi autoritetin ekskluziv për këto hapa, Kushtetuta ia jep ministrit dhe kompetencat e vendimmarrëse të tij nuk mund të delegohen tek askush tjetër. Kështu që pezullimi në fjalë, vendos një pikëpyetje të madhe mbi fillimin e fluturimeve në qershor 2026, sipas parashikimit.
- Po kështu, aktualisht, ka edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku vetëm akte për rindërtimin janë 18, të cilat mbeten të pezulluara bashkë me ministrin, ndërkohë që çdo ditë që pezullimi i ministrit zgjatet, zgjatet edhe lista e punëve të bllokuara.
