Rama për pjesëmarrjen e ulët në votime: Ndikoi moti i keq dhe dobësia e opozitës!
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me zgjedhjet e pjesshme lokale të mbajtura ditën e djeshme në 5 bashki të vendit. Pasi ka uruar fituesit, Rama ka shpjeguar edhe arsyet e pjesëmarrjes së ulët të votuesve.
Ai nuk beson se rënia e pjesëmarrjes është pasojë e mungesës së besimit të zgjedhësve te proceset zgjedhore. Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak të motit me shi të ditës së djeshme, dobësisë së opozitës dhe natyrës së zgjedhjeve të pjesshme, të cilat nuk e nxisin pjesëmarrjen.
POSTIMI I PLOTË:
5 bashki, 5 fitore dhe 5 arsye më shumë për t’i falënderuar qytetarët për besimin e tyre, pavarësisht dobësisë ekstreme të opozitës, motit me shi të ditës së djeshme, apo vetë natyrës së zgjedhjeve të pjesshme, të cilat nuk duket se e stimulojnë pjesëmarrjen.
Urimet më të përzemërta kryebashkiakëve të rinj:
- Bruna, gruaja e parë që do të drejtojë bashkinë e Vlorës.
- Ervini i dytë i Beratit, i cili me mbi 83% të votave dhe 13 049 vota nga 15 454 të PS në 11 maj për bashkinë Berat, ka arritur një rezultat mbresëlënës.
- Florenci në Cërrik, Gramozi në Tepelenë dhe Altini në Mat, të tre me rezultate kuptimplota, të cilat janë një themel i fortë i punës që do të pasojë në shërbim të atyre komuniteteve.
