“`html
Rama në intervistë për DW: Anëtarësimi në BE nuk është në dorën tonë, kemi 2030-ën si datë
Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste për Deutsche Welle (DW), ka komentuar deklaratat kundër tij në Kosovë dhe raportet me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Rama u shpreh se me Albin Kurtin ka një marrëdhënie shumë miqësore në aspektin personal, por ndajnë dallime në këndvështrime.
DW: Zoti Kryeministër, ju përmendët një synim shumë ambicioz që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian në vitin 2030. Cilat janë sfidat kryesore të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian?
Edi Rama: Sfidë është përmbushja e të gjitha detyrave që ky proces kërkon. Kemi një kalendar ambicioz të dakordësuar me Komisionin Europian për t’i përmbushur të gjitha detyrat brenda vitit 2027 dhe për ta vendosur Komisionin Europian në pozicionin që t’i thotë vendeve anëtare se Shqipëria i ka kryer me sukses negociatat. Më pas kemi parashikuar edhe një dyvjeçar për ratifikimin në të gjitha vendet anëtare. Ky afat mund të jetë më i shkurtër, por kemi vendosur maksimumin, prandaj kemi 2030-ën si datë. Nuk është një afat imagjinar apo i vendosur thjesht nga dëshira, por është bazuar mbi këtë që thashë.
DW: Shqipëria ka qenë në fund të kësaj liste dhe ka përparuar shpejt krahasuar me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, etj. Mendoni se është e mundur që Shqipëria të anëtarësohet në BE e vetme, apo duhet të shkoni në bllok me vendet e tjera? Sepse ka sfida të tjera edhe në Kosovë e Serbi.
Edi Rama: Kjo nuk është në dorën tonë apo në dëshirën tonë. Ne, është e vërtetë, e kemi nisur nga shumë prapa këtë garë ose këtë vrap dhe tani jemi në pararojë, siç i quajnë ata vendet që janë në një pozicion më të përparuar, vende pararojë, së bashku me Malin e Zi, dhe gjasat janë që së bashku me ne të jemi në këtë proces. Ndërkohë, përsa u përket vendeve të tjera, ato kanë disa probleme të natyrës tjetër që duhen zgjidhur patjetër. Pra, asnjëri nga ato vende nuk e ka veten në dorë, sepse e mban lidhur kërkesa e Bullgarisë për të zgjidhur një problematikë mes tyre. Kosovën dhe Serbinë i mban lidhur fakti i mosnjohjes së Kosovës nga Serbia, dhe pastaj Bosnja është një rast i komplikuar i një natyre tjetër.
DW: Mbetemi tek raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë, sepse në veçanti juve ju kanë interpretuar në forma shumë të ndryshme, si “vëllai i Vuçiçit” e deri tek akuza të rënda për bashkëpunim me … Si mund të zgjidhen raportet mes Kosovës dhe Serbisë?
Edi Rama: Unë, t’ju them të drejtën, i mirëkuptoj të gjitha ato që më janë vendosur si etiketa, sepse burojnë nga arsye dhe nga shtytje të brendshme që janë të lidhura me kujtime shumë të freskëta dhe shumë të vrazhda të një kohe tejet, tejet dramatike, tragjike për popullin e Kosovës. Kështu që nuk i marr për të keq. Aq më tepër pastaj që unë jam mësuar me këto dhe nuk kam asnjë shqetësim nga asnjë lloj etiketimi, sepse raporti im është me të vërtetën dhe me njerëzit të cilët më besojnë. Nuk është me nevojën që të gjithë të jenë dakord apo të gjithë të pëlqejnë ato që bëj unë, apo të gjithë të më besojnë mua. Se kjo nuk ndodh edhe sikur ta kërkosh. Nga ana tjetër, unë nuk u heq asnjë presje atyre që kam thënë dhe as nuk kam asnjë pishman për asgjë që kam bërë, sepse të gjitha i kam bërë nga interesi i Shqipërisë.
Sipas meje, Kosova duhet ta harrojë krejt Serbinë në kuptimin që duhet të përmbushë në mënyrë unilaterale të gjitha kërkesat e dialogut dhe t’ia lërë, siç i themi ne, topin në derë Serbisë, duke i thënë Europës, duke u thënë të gjitha vendeve të Europës, duke u thënë edhe atyre vendeve që nuk e njohin akoma, që ja kush jemi ne. I përmbushëm, i firmosëm, tani shkoni dhe merrni firmën Serbisë. Por duhet të shkëputet totalisht nga Serbia dhe nuk duhet të jetojë me idenë e Serbisë.
DW: Zoti Kryeministër, nga perspektiva e një qytetari të Kosovës, ju nuk keni raporte aq të ngushta sa të bashkëveproni në të gjitha fushat, me kryeministrin e Kosovës në detyrë, Albin Kurti. Pse kjo rënie e raporteve mes Kosovës dhe Shqipërisë?
Edi Rama: Kjo është e pavërtetë, për faktin se unë me Albinin kam një marrëdhënie shumë miqësore në aspektin personal, por kemi dallime që janë të pashmangshme në këndvështrime dhe këto dallime në këndvështrime i ndajmë në mënyrë shumë të hapur dhe shumë të drejtpërdrejtë, qoftë kur na ka rënë rasti të flasim ballë për ballë, qoftë edhe kur mbajmë qëndrime publike. Ndërkohë që në të gjitha aspektet e bashkëpunimit me Kosovën, flas në bashkëpunimin ndërshtetëror, ne kemi bërë goxha përparim dhe jemi duke punuar bashkarisht edhe për një vepër madhore siç është hekurudha Durrës-Prishtinë.
DW: Një prej sfidave kryesore të Shqipërisë, është edhe lufta e korrupsionit dhe reformat juridike. Si i komentoni rastet e fundit, lidhur me zonjën Balluku?
Edi Rama: Nuk kam asnjë koment për asnjë rast, sepse, siç e kam thënë, ne kemi punën tonë, drejtësia ka punën e vet dhe deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe janë të padënueshëm nga gjykata popullore e politikës dhe e mediave që i shërbejnë politikës.
DW: Pyetja e fundit natyrisht është për Gjermaninë. Si i vlerësoni ju raportet me Gjermaninë? Sepse Gjermania është një prej shtyllave të Bashkimit Europian, dhe me siguri që edhe mbështetja e Gjermanisë në rrugën e Shqipërisë është me rëndësi.
Edi Rama: Ne kemi një bashkëpunim shumë pozitiv. Gjermania është vend i madh, ne jemi vend i vogël, natyrisht, por Gjermania është qartësisht mbështetëse e rrugës sonë të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe kjo është gjëja më e rëndësishme.
“`
