“`html
Rreziku i sulmit të Iranit në Shqipëri? Rama ironizon: Të keqen e kemi këtu brenda
Kryeministri Edi Rama, në podkastin e tij “Flasim”, ka komentuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe luftën në Iran. Ai theksoi se, për fat të mirë, Shqipëria nuk është e përfshirë fizikisht, por nuk i shmanget dot ndikimit politik.
Kreu i qeverisë ka hedhur poshtë të gjitha aludimet se Shqipëria është në shënjestër të sulmit Iranian, duke theksuar se vendi ynë është anëtar i NATO-s. Ai gjithashtu ironizoi opozitën, duke deklaruar se “të keqen më të madhe ne e kemi brenda vendit” dhe se, sipas tij, ajo “ushqen shpresën se do të përmbyset regjimi i Edi Ramës”.
Rama u shpreh: “Përsa i takon Shqipërisë, ka pasur lloj-lloj thashethemesh dhe spekulimesh. Është interesante që, ndryshe nga vendet e tjera, në Shqipëri të keqen më të madhe ne e kemi brenda. Dhe burimin më të madh të dezinformimit, të gënjeshtrave, të deformimit të informacionit, ne, ndryshe nga të tjerët, nuk kemi pse e kërkojmë gjetkë, sepse e kemi këtu. Dhe nga këtu është prodhuar në mënyrën më kriminale dhe të papërgjegjshme edhe një seri lajmesh për gjoja mundësinë e sulmit mbi Shqipërinë.
Por, ju kujtoj të gjithëve që Shqipëria është anëtare e NATO-s. Sikundër NATO e demonstroi qartësisht në Turqi, ku goditi menjëherë një raketë të ardhur nga Irani, gjë të cilën pastaj e nënvizoi bukur mirë edhe gjenerali amerikan i komandës së NATO-s, qartësisht ky shpejtësi reagimi dhe ky kapacitet reagimi vlen për të gjitha vendet anëtare të NATO-s. Kjo, me gjithë keqardhjen për të keqen, të cilën me siguri nuk e ka aspak problem nëse do t’i jepej mundësia ta provonte edhe ndonjë sulm mbi Shqipërinë, vetëm e vetëm për të ushqyer shpresën e kotë dhe siç thonë tironsit, “ondrrën në beze”, se do të përmbyset i ashtuquajturi “regjimi i Edi Ramës”.
“`
