Rama: Shqipëria nuk është tunduar nga oligarkët rusë dhe nuk simpatizon Putinin
Kryeministri Edi Rama, gjatë qëndrimit në Londër përpara samitit të Procesit të Berlinit, ka mohuar kategorikisht takimin me presidentin rus Vladimir Putin.
“Jo, faleminderit! Nuk jam takuar,” u shpreh Rama, duke theksuar se Shqipëria ka një histori të veçantë marrëdhëniesh me Rusinë, të cilat kanë qenë të ngrira.
Ai shtoi se Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku nuk ka pasur vizita zyrtare nga Kremlini dhe as nuk është shkuar nga pala shqiptare në Moskë për të vizituar Kremlinin. Kjo, sipas tij, lidhet me historinë, ku shqiptarët i konsideronin rusët si “tradhtarë, të degraduar, që nuk e meritonin shoqërinë tonë” dhe Shqipëria ishte “fari i vetëm i komunizmit në Europë”.
“Stalini ka qenë në bulevardin tonë më i gjatë se unë në bronz. Kjo krijoi një mungesë totale besimi,” vijoi ai.
Kryeministri nënvizoi se Shqipëria nuk ka pasur kurrë simpati për regjimin rus: “Nuk na pëlqen Putini dhe Rusia aktuale, nuk na merr malli. Kurrë nuk jemi tunduar nga oligarkët rusë. Muzika ruse është më shumë se mjaftueshëm,” përfundoi Rama.
