Rama shpall shtetin gjysmë të paralizuar pa firmën e Ballukut
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me kërkesën që ai i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Belinda Ballukut, vendim ky i marrë nga Gjykata e Lartë e Operacioneve Speciale. Ai pranoi se shembulli i dhënë më parë për linjën ajrore me Kanadanë mund të jetë dukur “i tepërt”, por theksoi se qëllimi ishte të ilustrohej absurditeti i situatës së krijuar me pezullimin e Ballukut.
Rama shtoi se për shkak të pezullimit janë bllokuar një sërë procesesh, përfshirë marrëveshjen me Kanadanë për fluturimet ajrore, për të cilën qeveria po përpiqet të gjejë zgjidhje në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme. Megjithatë, sipas tij, ky është vetëm një element i situatës së vështirë.
“U bë sebep një mik i mirë për ta bërë këtë komunikim me një mesazh që më shkruan: ‘E kuptoj shqetësimin tënd lidhur me precedentin e rrezikshëm që krijoni me pezullimin e ministres. Nesër bëhet rrugë dhe prokurorë e gjykatës të heqin kë të duan nga qeveria’. Po ajo e linjës ajrore me Kanadanë mu duk pak e tepërt. Mbase është shumë e tepërt, por shembujt që unë sjell i sjell për të thënë sa i tepërt është pezullimi i një ministri.
Ndryshe nga çdo funksionar që mund të pezullohet, ministri i pezulluar jo vetëm që nuk firmos dot vetë asgjë, por bën që askush tjetër të mos marrë vendim dhe të firmosë në emër të dikasterit. Sepse Kushtetuta ia jep atij dhe vetëm atij ministrit autoritetin ekskluziv të padeleagueshëm tek askush tjetër. Prandaj pezullimi është absurd si koncept, sepse është bllokim i zinxhirit të vendimmarrjes që ministri mbulon. Ndër gjërat që janë bllokuar është edhe marrëveshja me Kanadanë për fluturimet ajrore që po mundohemi ta zgjidhim me Ministrinë e Jashtme. Po, ja ta zëmë se e zgjidhëm, po me 35 vendimet e tjera të qeverisë si do ja bëjmë? Po me lejet e ndërtimit për investimet në energji të rinovueshme, në godina publike që kanë kaluar në KKT por nuk zbardhen dot pa firmën e pezulluar, si do ja bëjmë?”, tha Rama.
Sipas Ramës, punët e bllokuara për shkak se Balluku është e pezulluar do të shtohen edhe më tej. Ndaj, sipas tij, “çështjen e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese”.
“Nuk jam këtu të ndërhyj në punën e prokurorit apo gjykatësit në fjalë, as si dhe pse ata po merren me një dosje të një anëtari të qeverisë. Unë flas për ndërhyrjen brutale në përbërjen e qeverisë, për marrjen konkrete të kompetencave që kushtetuta më jep mua në këtë rast”, u shpreh kryeministri.
Një përgjigje, Rama kishte edhe për ata që e kritikojnë pse nuk e heq ministren: “Heqja e ministrit në këtë rast nuk e zgjidh këtë problem themelor, por do të krijonte një problem themelor për të nesërmen, jo për mua, por për të nesërmen.”
