Rama përcakton prioritetet për rrugën drejt BE: Nuk do të ketë lëshime, siguria ushqimore paraqet sfidë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një mbledhje me grupin parlamentar të PS dhe kabinetin qeveritar, theksoi se dy vitet e ardhshme janë vendimtare për përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ai nënvizoi se ky proces kërkon angazhim dhe qartësi të plotë për punën që duhet bërë për arritjen e këtij objektivi.
“Puna që kemi para këtë vit është e një natyre të veçantë për shkak të negociatave me BE dhe domosdoshmërisë që Shqipëria të përmbushë të gjitha kushtet në një kohë të shkurtër për të mbyllur negociatat e anëtarësimit,” tha Rama. Ai shtoi se ende ka nevojë për një kuptim më të qartë brenda grupit parlamentar, partisë dhe opinionit publik mbi sfidën dhe barrën e detyrimeve që sjell përmbushja e kushteve për një dalje të suksesshme nga procesi i negociatave dhe përballja me një treg të ri prej 450 milionë njerëzish, ku Shqipëria e integruar do të jetë një pjesë e vogël.
Rama shpjegoi se sfidat për sektorin prodhues dhe institucionet do të jenë të shumta. Ai përmendi se po negociohen periudha kalimtare pas anëtarësimit për t’i dhënë vendit kohë të përgatitet të përmbushë kriteret, një praktikë e zakonshme për vendet që janë anëtarësuar më parë.
Një nga fushat kryesore që kërkon kujdes dhe punë të jashtëzakonshme, sipas Ramës, është siguria ushqimore. Ai theksoi se Shqipëria është ende larg përmbushjes së kritereve të BE-së në këtë drejtim. “Kjo do të thotë që në momentin e anëtarësimit, dhe pas përfundimit të periudhës kalimtare, asnjë ushqim i prodhuar në Shqipëri nuk do të mund të shitet jashtë vendit, por mund të bllokohet edhe brenda vendit nëse nuk përmbush kriteret,” paralajmëroi ai. Në skenarin më pesimist, kjo mund të çojë në importimin e gjithë ushqimeve që konsumohen në vend.
Për këtë arsye, Rama kërkoi “një punë të jashtëzakonshme dhe një vendosmëri të fortë nga ana jonë si vendimmarrës, për të mos falur asgjë dhe askënd” në emër të nevojës për të vazhduar punën. Ai theksoi se të gjithë do të mbahen përgjegjës dhe se nuk do të ketë liri për diskutim pas negociatave, pasi përballja me realitetin e ri do të jetë imediate.
Gjatë fjalës së tij, Rama i kërkoi dy ministreve përgjegjëse për negociatat me BE, Majlinda Dhuka dhe Adea Pirdeni, të informojnë dhe shpjegojnë më gjerësisht deputetët e PS-së rreth rrugës drejt finalizimit të objektivit të anëtarësimit. Ai theksoi nevojën për një shkëmbim më të thelluar informacioni, në mënyrë që deputetët të mund të kontribuojnë me ekspertizën dhe profilizimin e tyre në procesin e draftimit të akteve normative.
“Duhet shumë më tepër punë për t’u shpjeguar me grupin dhe për t’u dëgjuar, duhet shumë më tepër informacion i ndërsjellë në mënyrë që të gjithë deputetët, të cilët mund të kontribuojnë në një proces draftim, të jenë të informuar. Është një format i domosdoshëm,” përfundoi Rama.
