Burg për ndërtime pa leje dhe vjedhje energjie, jo për mospagesë
Kryeministri Edi Rama u përplas me gazetaren Ambrozia Meta gjatë një konference për mediat. Meta e pyeti Ramën lidhur me përdorimin e standardeve të dyfishta në raportimin e ndëshkimeve penale për qytetarët e zakonshëm dhe Belinda Ballukun.
Gazetarja pyeti: “Keni deklaruar se ka burg për ata që nuk paguajnë energjinë elektrike, ata që ndërtojnë pa leje, etj. Pse në rastin e Belinda Ballukut u shprehët kundër burgut dhe iu referuat standardeve të BE-së? Pse mbahet ky standard i dyfishtë?”
Rama u përgjigj: “Ndoshta po jetojmë në një kohë kur gënjeshtra, duke u përsëritur, bëhet e vërtetë. Unë nuk kam thënë kurrë burg për ata që nuk paguajnë dritat dhe askush, kurrë në historinë e këtij vendi, nuk ka shkuar në burg për këtë. Unë kam thënë burg për ata që vjedhin dritat. Energjia elektrike duhet të pritet si në çdo vend tjetër të botës dhe kjo ka ndodhur.”
Kryeministri shtoi: “Unë besoj që kur mitingu zhvillohet rregullisht këtu poshtë, shko atje poshtë. Këtu nuk është vend për miting, këtu ka pyetje dhe përgjigje, jo debat. Gjëja që ti më kërkon është të jap përgjigjen që ti dëshiron. Unë pres me qetësi të mbarojë pyetja jote e gjatë, unë kërkoj të çoj deri në fund, nëse ‘Qimi’ ma jep lejen. Nëse ‘Qimi’ nuk ma jep lejen, atëherë unë jam shumë i keqardhur. Nuk bëj asnjë sulm personal. Pse emri është sulm personal? Jo Çimi, Qimi. Është një tjetër. Unë do merrem me gjithçka që më vjen të merrem, se jam aq i lirë sa të gjithë ju që të thoni gjënë që doni. Unë dua fjalën këtu. Unë dua fjalën dhe të jesh e sigurt që do kuptosh në fund që ‘ja fut kot’. Pastaj e gjykojnë njerëzit. Si mund t’i kërkohet dikujt të japë përgjigjen që do ti.”
Rama sqaroi më tej: “Në Shqipëri nuk ka hyrë kurrë në burg një person për arsye se nuk ka paguar dritat. Në burg nuk shkon për diçka që nuk shkruhet në Kodin Penal, nuk ka Kodi Penal normë ku të thuhet se mospagesa e dritave të çon në burg. Nuk ka ndodhur. Kanë hyrë në burg persona që kanë vjedhur dritat. Mospagesat kanë çuar në prerjen e dritave, gjë që nuk pritej kurrë më parë. Por jo burg.”
“Ndërtimi pa leje është i sanksionuar në Kodin Penal dhe është një vepër penale që ndëshkohet sipas shkallëve, por edhe me heqjen e lirisë, patjetër. Është vepër në flagrancë, është fizikisht e kapshme, e prekshme, nuk është diçka që e thotë një televizor apo një tjetër që është ose nuk është.”
