Rama: Tirana nuk mund të jetë një trup pa kokë, pas vendimit të GJK për Veliajn
Kryeministri Edi Rama, në episodin e fundit të podcastit të tij “Flasim”, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.
Kreu i qeverisë paralajmëroi se nëse zgjedhje të reja nuk do të mbahen në Tiranë deri në vitin 2027, vendi do të përballet me “një disproporcion të dyfishtë”. Ai theksoi nevojën që kryeqyteti të ketë një drejtues të zgjedhur.
“Ka disa rrjedhoja logjike nga ky vendim që dua t’i theksoj. Siç duket dhe nuk është hera e parë për ata që duan të shohin, unë nuk i kam kapur të gjitha pushtetet. Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027, jemi përballë një disproporcioni të dyfishtë. Mbajtja e tij në qeli në dëm të qytetarëve për t’u shërbyer nga i drejti. Së treti vjen logjikisht. Më duket se është normale që Kushtetuesja, kur të gjykojë masën, ta lirojë dhe gjykimi të vijojë në liri. Pavarësisht çfarë është thënë, Tirana duhet drejtuar, nuk mund të jetë një trup pa kokë. Kryeqyteti ka nevojë për të zgjedhurin e vet në krye. Kushdo që ka në dorë të ndihmojë në zgjidhjen e një ngërçi absurd, duhet ta bëjë. Kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim. Ky është një skandal në vetvete,” – tha Rama.
