Rama në Arabinë Saudite: Një udhëtim me avion privat
Kryeministri, i cilësuar si “kryeministri i milionerëve”, duket se ka vështirësi të udhëtojë me avionë linje. Për vizitën e tij të fundit në Arabinë Saudite, Edi Rama ka zgjedhur të udhëtojë me një avion privat. Megjithëse ky udhëtim nuk do të jetë në kurriz të taksapaguesve shqiptarë, pasi dyshohet se avionin ia ka ofruar vetë pala saudite, duket se kreu i qeverisë ka refuzuar të udhëtojë si një qytetar i zakonshëm.
Mbretëria e Arabisë Saudite i ka vënë në dispozicion një nga avionët e saj qeveritarë, siç shihet qartë nga imazhet e zbritjes në aeroport. Mbi avion shkruhet: “Kingdom of Saudi Arabia / المملكة العربية السعودية”. Gjithashtu, vihet re stema e mbretërisë (një palmë mbi dy shpata të kryqëzuara), e cila zakonisht vendoset në pjesën e pasme të avionit.
Polemikat rreth udhëtimeve të Ramës me avion privat vazhdojnë prej vitesh. Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka deklaruar se një orë fluturimi i kryeministrit i kushton taksapaguesve jo më pak se 15 mijë euro. Opozita denoncon mbi 22 milionë euro të shpenzuara për udhëtime ajrore midis viteve 2013-2022.
Kur shpërtheu polemika për udhëtimet luksoze, pas publikimit të të dhënave të TIMS nga hakerat iranianë, të cilat tregonin edhe mjetin e udhëtimit të kryeministrit, u konstatua se ai kishte përdorur avion privat plot 137 herë. Në vend që të jepte llogari dhe të tregonte transparencë, Rama u fut në një spirale të alibive, të cilat nuk qëndruan. Fillimisht, ai mohoi shifrat, më pas pretendoi se kishte një kontratë promocionale, dhe vazhdoi duke thënë se shërbente si “mascot” për promovimin e Air Albanias. Herë pas here, ai është kujdesur të publikojë fotografi me avion linje, por këto imazhe përgënjeshtrohen nga fotot e fundit, ku ai përdor avionin e palës pritëse. Në thelb, ai nuk mund të udhëtojë si të gjithë të tjerët.
