Balliu: Raporti i ODIHR, pasqyra e sistemit të Belinda Ballukut
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, duke iu referuar raportit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, thekson se ky dokument përmban një nga konstatimet më serioze të dekadës së fundit: fshirjen e kufirit mes partisë dhe shtetit.
Në një postim në Facebook, Balliu shprehet se ky konstatim tregon se Shqipëria ka rrëshqitur përfundimisht drejt modelit të partisë-shtet. Ai e krahason këtë situatë me periudhat historike të Enver Hoxës dhe Ramiz Alisë, duke shtuar se ky model është ringjallur në formën e tij bashkëkohore nën drejtimin e Edi Ramës.
“Një ilustrim i përsosur i këtij modeli është Belinda Balluku – pasqyra më besnike e mënyrës sesi pushteti e përdor shtetin si instrument fushate, ndikimi dhe kontrolli,” shkruan Balliu. Ai shton se me një agresivitet politik të paprecedentë, Balluku ka mobilizuar të gjithë aparatin administrativ në funksion të interesave elektorale të Partisë Socialiste.
Sipas tij, punonjësit publikë janë përballur me shantazhe, duke u kërkuar bindje politike në këmbim të ruajtjes së vendit të punës. Po kështu, qytetarët i janë nënshtruar presioneve lidhur me legalizimet dhe shërbimet publike, ndërsa klima e frikës dhe varësisë ka zëvendësuar çdo ndjenjë lirie qytetare.
