Raporti OSBE/ODIHR: Zgjedhjet 2025, parti në pushtet përfiton nga burimet

OSBE/ODIHR publikon raportin e plotë: PS përfitoi nga burimet administrative

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale, por u mbajtën në një mjedis tejet të polarizuar, ku garuesit nuk gëzuan mundësi të barabarta. Megjithatë, kandidatët në përgjithësi patën mundësinë të bëjnë fushatë lirshëm, megjithëse disa raportuan se u përballën me presione.

Administrata zgjedhore e menaxhoi procesin në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Votimi jashtë vendit, i realizuar për herë të parë në këto zgjedhje, u menaxhua mirë, pavarësisht dakordësimit politik dhe miratimit të vonë të kësaj mase, si dhe disa problemeve organizative.

Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë për kandidatët që ishin ndërkohë në detyrë. Gjithashtu, pati akuza për presion ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të administratës publike.

Legjislacioni zgjedhor dhe interpretimi i tij nga administrata zgjedhore nuk parandaluan praktikat abuzive. Përqendrimi i pronësisë së mediave, që minon pluralitetin e burimeve të lajmeve, së bashku me autocensurën mes gazetarëve dhe dominimin e mbulimit mediatik nga dy partitë më të mëdha, kufizuan mundësinë e zgjedhësve për të bërë një zgjedhje të informuar.

Përdorimi aktiv i rrjeteve sociale nga garuesit amplifikoi diskursin konfrontues dhe asnjë autoritet nuk u caktua për të identifikuar përmbajtjen manipulative.

Mekanizmi i ri i koordinimit mes institucioneve për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore është një zhvillim pozitiv, por nevojitet zbatim i mëtejshëm për të adresuar shqetësimet e vazhdueshme lidhur me praktikat e gabuara zgjedhore.

Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e organizuar mirë, por pati shpesh mosrespektim të procedurave dhe procesi u karakterizua nga disa incidente presioni ndaj zgjedhësve dhe ndikimi tek ta, si dhe mangësi gjatë numërimit të votave lidhur me procedurat dhe transparencën.

Kuadri ligjor ofron një bazë të mjaftueshme për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, pavarësisht nga nevoja e vazhdueshme për një reformë të gjerë zgjedhore përmes konsultimeve publike gjithëpërfshirëse. Mangësitë dhe paqartësitë e vërejtura zvogëlojnë qartësinë e kuadrit ligjor dhe krijojnë pasiguri në zbatimin e ligjit.

Ndonëse disa rekomandime të ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias janë adresuar, shumica e rekomandimeve të bëra prej kohësh, duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me përbërjen e komisioneve zgjedhore, raportimin mbi financimin e fushatës, sigurimin e një klime të favorshme mediatike, si dhe heqjen e përgjegjësisë penale për shpifjen, nuk janë adresuar, duke treguar mungesë të vullnetit politik për reforma gjithëpërfshirëse.

Parlamenti zgjidhet përmes një sistemi të modifikuar zgjedhor me lista të mbyllura dhe lista preferenciale të kandidatëve. Sipas disa partive më të vogla, ky sistem favorizon dy partitë më të mëdha dhe kufizon ndikimin e votimit preferencial, duke u dhënë mundësi drejtuesve të partive të vazhdojnë të ruajnë një kontroll domethënës mbi përfaqësimin parlamentar, pjesërisht për shkak të mungesës së demokracisë së brendshme të partive.

Megjithëse disa nga këto parti paraqitën argumente para Gjykatës Kushtetuese, Gjykata vendosi që ky sistem është kushtetues.

Në përgjithësi, përgatitjet teknike për zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë efiçente, transparente dhe gjithëpërfshirëse nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Megjithatë, disa aktorë i perceptuan si të politizuar disa anëtarë të KQZ-së. Mbledhjet e KQZ-së ishin të hapura për vëzhguesit dhe u transmetuan drejtpërdrejt.

Sfidat në organizimin e votimit jashtë vendit ishin të konsiderueshme dhe u vunë re disa probleme me dërgimin me postë të fletëve të votimit; megjithatë, procesi u menaxhua përgjithësisht mirë.

Komisionet e niveleve më të ulëta e menaxhuan procesin në mënyrë efiçente dhe transparente, pavarësisht disa ndërprerjeve të shkaktuara nga zëvendësimi me vonesë i anëtarëve të caktuar nga partitë politike, sidomos anëtarëve të qendrave të votimit në ditët para zgjedhjeve.

KQZ-ja bëri përpjekje të përmirësohej aksesueshmëria në qendrat e votimit për personat me aftësi të kufizuara, por vëzhguesit raportuan disa probleme me aksesueshmërinë në disa qendra.

Shqipëria vazhdon të përdorë teknologjinë në zgjedhje përmes përdorimit të identifikimit biometrik të zgjedhësve dhe pilotimit të votimit elektronik. Votimi elektronik u zhvillua në dy zona, kurse identifikimi biometrik u përdor në të gjitha qendrat e votimit. KQZ-ja reduktoi varësinë nga ofruesi i pajisjeve të identifikimit biometrik dhe votimit elektronik, dhe përdorimi i teknologjisë u dokumentua dhe menaxhua si duhet në mënyrë transparente dhe të qëndrueshme.

Partitë politike dhe media patën akses të plotë për të vëzhguar funksionimin e pajisjeve të identifikimit dhe votimit elektronik, por KQZ-ja nuk publikoi informacion lidhur me testet e sigurisë.

Bashkëbiseduesit e MVZ-së së ODIHR-it shprehën përgjithësisht besim te teknologjia, por pati edhe shqetësime të shprehura kryesisht nga opozita.

Në regjistrin e zgjedhjeve ishin 3.7 milion zgjedhës, duke përfshirë 245,935 zgjedhës të regjistruar jashtë vendit. Subjektet zgjedhore kishin të drejtën të kërkonin kopjen e plotë të listës së zgjedhësve, gjë që rriti transparencën e procesit të regjistrimit, pavarësisht shqetësimeve për privatësinë e të dhënave. Zgjedhësve iu dhanë mundësi të mjaftueshme për të rishikuar informacionin në listën e zgjedhësve.

Sa i përket votimit nga jashtë vendit, pavarësisht fushatës së zgjeruar të KQZ-së për informimin e zgjedhësve dhe vendimit për të pranuar dokumente shqiptare biometrike të identifikimit të cilave u kishte kaluar afati i vlefshmërisë, rreth 41,000 kërkesa për regjistrim u desh të refuzoheshin për shkak të mosparaqitjes së një dokumenti të përshtatshëm që vërtetonte vendbanimin.

Në përgjithësi, procesi i regjistrimit të zgjedhësve ishte transparent, listat e zgjedhësve u konsiderua gjithëpërfshirëse dhe përgjithësisht të sakta, dhe zgjerimi i të drejtës për të votuar për të mundësuar edhe votimin jashtë vendit, shënoi një hap përpara drejt pjesëmarrjes më të madhe në zgjedhje.

KQZ-ja regjistroi tetë parti dhe tre koalicione brenda afatit ligjor dhe miratoi 2,046 kandidatë gjithsej në një proces gjithëpërfshirës. Verifikimi i kandidatëve çoi në heqjen e 16 prej tyre për shkak të rekordeve kriminale, gjë që nuk u kontestua dhe partitë patën mundësinë t’i zëvendësonin.

Detyrimi ligjor i subjekteve zgjedhore për të dorëzuar lista të plota kandidatësh, të hapura dhe të mbyllura, për të gjitha zonat zgjedhore ndikoi në mundësinë e tyre për të garuar.

Në përgjithësi, fushata ishte e qetë, por u karakterizua nga një diskurs konfrontues dhe polarizues, veçanërisht online dhe sidomos mes dy partive politike kryesore dhe drejtuesve të tyre. Kandidatët, në shumicën e rasteve, ishin në gjendje ta zhvillonin fushatën lirisht, por mundësitë e garimit nuk ishin të barabarta.

Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve shtetërore dhe kapaciteteve institucionale, duke përfshirë edhe bërjen publike pak kohë para ditës së zgjedhjeve të faljes së një numri të madh gjobash, dhe zyrtarët e lartë qeveritarë u angazhuan në aktivitete zyrtare që shpesh përkonin me mesazhet e fushatës, duke e bërë të paqartë vijën ndarëse mes shtetit dhe partisë.

Pati pretendime për presion ndaj nëpunësve të administratës publike, raste intimidimi të mbështetësve të opozitës, si dhe përdorim të rrjeteve të patronazhimit, çka bie ndesh me standardet ndërkombëtare.

Çështje të tjera shqetësuese përfshijnë raportimet për shit-blerje votash, tentativat për të ndikuar pa të drejtë tek zgjedhësit e margjinalizuar, si dhe pretendime për ndikim të elementëve kriminalë në disa parti politike.

Scroll to Top