Rast i trishtë: I merr pensionin nënës së vdekur, e gjejnë mumifikuar

Mbante nënën e vdekur në shtëpi dhe i merrte pensionin

Një ngjarje e rrallë ka ndodhur në Borgo Virgilio, provinca e Mantovës, Itali. Një infermier i papunë akuzohet se u paraqit si nëna e tij e ndjerë për të rinovuar kartën e saj të identitetit dhe për të vazhduar të merrte pensionin.

Megjithatë, maskimi i tij, i cili përfshinte flokë të shkurtër femërorë, grim të rëndë, një bluzë me motive në stilin e viteve ’70 dhe bizhuteri të vjetra, nuk arriti të bindte stafin e bashkisë. Lëkura e fytyrës së tij dukej qartësisht mashkullore dhe mosha e shfaqur nuk përputhej me atë të gruas, e cila besohej të ishte rreth 85 vjeç.

Anomalitë i shtynë zyrtarët të kryenin një kontroll më të plotë. Ata krahuan foton e bërë në atë moment me kartën e identitetit të gruas, e cila kishte skaduar 10 vjet më parë. Ky krahasim ngriti dyshime, të cilat më pas çuan në ndërhyrjen e policisë lokale dhe zbulimin e trupit të mumifikuar të nënës së autorit në shtëpinë e të birit.

Fotografia e bërë gjatë procesit të rinovimit të kartës së identitetit ishte thelbësore në zbulimin e mospërputhjeve. Fytyra, flokët, lëkura, veshja dhe imazhi i përgjithshëm ngritën dyshimet e para tek punonjësja e sportelit, e cila raportoi anomalinë te eprorët e saj, duke nxitur një hetim të brendshëm.

Ndërkohë, kur personi po tërhiqte kartën e identitetit, ishte e pranishme edhe policia. Personi në fjalë u përball me provat dhe pranoi mashtrimin. Oficerët i kërkuan të inspektonin shtëpinë, një kërkesë që ai nuk e refuzoi.

Gjatë kontrollit, oficerët gjetën trupin e mumifikuar të gruas së moshuar në një dhomë të shtëpisë. Sipas vlerësimeve fillestare, vdekja nuk ishte e kohëve të fundit dhe mund të ketë ndodhur disa vite më parë. Kushtet në të cilat u gjet trupi kërkuan hetime të mëtejshme për të përcaktuar saktësisht datën e vdekjes dhe natyrën e fshehjes.

Hetimi tani i është besuar autoriteteve kompetente, të cilat po rindërtojnë ngjarjen për të sqaruar të gjitha aspektet e dala në pah. E moshuara merrte një pension nga bashkëshorti i saj, i cili ishte mjek, dhe të ardhura nga pasuria e paluajtshme e familjes. Deklaratat tatimore, të paraqitura çdo vit në emër të gruas, raportuan shuma prej afërsisht 53,000 eurosh.

Hetuesit po vlerësojnë se për sa kohë djali vazhdoi të mblidhte paratë dhe çfarë krimesh mund të jenë kryer, duke përfshirë mashtrim të mundshëm kundër shtetit. Hetimet janë duke vijuar.

Scroll to Top