Reagon Qori: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese politik

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në favor të Veliajt/ Qori e cilëson si politik dhe përfshin veten mes arsyeve (VIDEO)

Arlind Qori, kryetar i Lëvizjes Bashkë dhe kandidat për Bashkinë e Tiranës, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë Erion Veliajt, duke e konsideruar atë si një vendim politik të diktuar nga Edi Rama.

Sipas Qorit, Rama është frikësuar nga fundi i afërt i pushtetit të tij në Tiranë, për shkak të përçarjeve brenda Partisë Socialiste dhe rritjes së ndikimit të Lëvizjes Bashkë, e cila sipas sondazheve po fiton terren.

Qori e ka cilësuar qeverisjen aktuale si “pushtet të kalbur” dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të mos dorëzohen. Ai ka paralajmëruar se Lëvizja Bashkë do të vijojë protestat dhe kërkesën për zgjedhje të reja, qoftë lokale apo qendrore, si e vetmja alternativë përballë sistemit politik dhe ekonomik të korruptuar.

“Për turpin e vet, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Erion Veliajt. Mirëpo, unë nuk mendoj se anëtarët e saj kanë qenë tërësisht të lirë për të vendosur në këtë rast. Besoj fort se ka qenë Edi Rama ai që e ka paracaktuar vendimin e GJKKO-së, sepse me kalimin e javëve dhe ditëve, është frikësuar se pushtetit të tij në Tiranë po i vinte fundi,” u shpreh Qori në një video mesazh në rrjetet sociale.

Ai shtoi se frika e Ramës lidhet me dy faktorë:

  • Përçarjet brenda PS-së, ku ata që rrezikojnë burgun (Belinda Balluku, Erion Veliaj etj.) dhe të tjerë të pakënaqur po tentojnë të largohen nga pushteti aktual.
  • Impakti i Lëvizjes Bashkë, e cila, edhe sipas një sondazhi të publikuar në një televizion armiqësor, del me 12.5% në Bashkinë e Tiranës. Qori beson se rezultati i tyre do të ishte edhe më i lartë nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, duke qenë surpriza e jashtëzakonshme e tyre.

“Gjithsesi, u bëj thirrje qytetarëve të Tiranës dhe të Shqipërisë që të mos mërziten nga ky vendim. Ne do të jemi në rrugë përditë. Ne do të kërkojmë medoemos zgjedhje. Edhe në mos t’i kemi lokale, t’i kemi qendrore, sepse këtij pushteti po i vjen fundi. Ky është një pushtet i kalbur. Shqipëria ka nevojë për një forcë të re, vitale, të guximshme që e thotë të vërtetën, që lufton përbindëshat e politikës së korruptuar dhe oligarkisë ekonomike. Dhe kjo alternativë është Lëvizja Bashkë. Ju ftoj të gjithëve të na bashkoheni në aktivitetin tonë, protestat që do të mbajmë dhe në gjithçka për t’iu kundërvënë këtij sistemi fund e krye të kalbur, të cilit i ka ardhur ora e fundit,” përfundoi Qori.

Scroll to Top