Real Madrid i dorëzon UEFA-s provat për racizëm ndaj Vinicius Jr.

Real Madrid i dorëzon UEFA-s provat për racizëm në ndeshjen ndaj Benfikës, kërkohet vendim i shpejtë

Klubi i Real Madrid ka bërë të ditur se i ka dorëzuar UEFA-s të gjitha provat në dispozicion lidhur me incidentet e racizmit që ndodhën gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve në Lisbonë kundër Benfikës. Ngjarja kryesore që po hetohet është përplasja mes Prestianit dhe Vinicius, ku lojtari brazilian raportoi se ishte fyer me terma raciste nga argjentinasi.

Sipas raportimeve, Vinicius Jr. ka pretenduar se Prestiani e ka quajtur “majmun”. Futbollisti i Benfikës ka mohuar akuzat, ndërsa verifikimi i saktë i ngjarjes është i vështirë për shkak se Prestiani mbulonte gojën me fanellë gjatë komunikimit me Vinicius.

Në një komunikatë zyrtare, Real Madrid sqaron:

  • “Klubi i Real Madridit njofton se sot i ka paraqitur UEFA-s të gjitha provat që disponon në lidhje me incidentet që ndodhën të martën e kaluar, më 17 shkurt, gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve që skuadra jonë luajti në Lisbonë kundër Benfikës.”
  • “Klubi ynë ka bashkëpunuar në mënyrë aktive me hetimin e hapur nga UEFA pas akteve të papranueshme të racizmit që ndodhën gjatë asaj ndeshjeje.”
  • “Real Madrid shpreh mirënjohjen e tij për mbështetjen dhe dashurinë e treguar ndaj lojtarit tonë Vinicius Jr. nga të gjithë sektorët e botës së futbollit.”
  • “Real Madrid do të vazhdojë të punojë, në bashkëpunim me të gjitha institucionet, për të zhdukur racizmin, dhunën dhe urrejtjen në sport dhe në shoqëri.”

Tani pritet që UEFA të mblidhet dhe të marrë një vendim urgjent mbi këtë çështje, pasi ndeshja e kthimit mes dy skuadrave do të luhet javën e ardhshme.

Scroll to Top