Huthitë bastisin zyrat e OKB-së në Jemen, 20 punonjës të arrestuar, akuzohen për spiunazh për llogari të SHBA-ve dhe Izraelit
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka njoftuar se 20 punonjës të saj janë marrë nën kontroll nga rebelët Huthi në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa. Ky incident vjen një ditë pas një bastisjeje të re të rebelëve, e cila synoi personelin e OKB-së.
Sipas Jean Alam, zëdhënës i koordinatorit të përhershëm të OKB-së në Jemen, pesë anëtarë të stafit vendorë dhe 15 anëtarë të stafit ndërkombëtar po mbahen në kompleksin e OKB-së, i cili u shënjestrua nga rebelët të shtunën.
Alam shtoi se 11 punonjës të tjerë vendorë të OKB-së u liruan pas marrjes në pyetje. Ai theksoi se organizata është në komunikim me Huthitë dhe palë të tjera, me qëllim që “të zgjidhë këtë situatë serioze sa më shpejt të jetë e mundur, t’i japë fund ndalimit të të gjithë stafit dhe të rivendosë kontrollin e plotë të objekteve të saj në Sanaa”.
Ditën e shtunë, Alam kishte deklaruar se forcat e sigurisë së Huthit hynë në objektet e OKB-së në Sanaa “pa leje”. Rebelët kishin pushtuar gjithashtu zyrat e OKB-së në Sanaa më 31 gusht dhe kishin arrestuar rreth dhjetë punonjës, sipas OKB-së.
Një zyrtar i lartë Huthi shpjegoi se të arrestuarit dyshohen për spiunazh për SHBA-në dhe Izraelin. Ky incident vjen ndërsa dhjetëra punonjës të OKB-së janë arrestuar në muajt e fundit në zonat e kontrolluara nga rebelët jemenas.
Në një fjalim televiziv të enjten, udhëheqësi rebel Abdelmalek al-Houthi tha se ata kishin shkatërruar “një nga qelizat më të rrezikshme të spiunazhit”, e cila ishte “e lidhur me organizata humanitare si Programi Botëror i Ushqimit dhe UNICEF”.
Stephane Dujarric, zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, i quajti akuzat “të rrezikshme dhe të papranueshme”, pasi ato “rrezikojnë seriozisht sigurinë e stafit të OKB-së dhe punonjësve humanitarë, si dhe operacionet jetësore të shpëtimit”.
Në mesin e shtatorit, koordinatori humanitar i OKB-së për Jemenin u transferua nga Sanaa në Aden, selia e përkohshme e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të vendit.
Dhjetë vjet luftë civile e kanë zhytur Jemenin, një nga vendet më të varfra në Gadishullin Arabik, në një nga krizat më të këqija humanitare në botë, sipas OKB-së.