Berisha: Reforma në Drejtësi ka dështuar, duke sjellë në kolaps sistemin juridik
Ka nisur mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Kreu i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se analiza e bërë në Kuvend gjatë seancës së të hënës për sistemin e drejtësisë është një ngjarje e rëndësishme. Sipas tij, gjatë kësaj analize u zbuluan para shqiptarëve detaje që tregojnë se Reforma në Drejtësi ka dështuar, duke sjellë në kolaps sistemin juridik.
“Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Kuvend përbën ngjarjen më të veçantë dhe ndër më të rëndësishmet për çdo qytetar. Sot, të dhënat e padiskutueshme faktojnë dështimin dhe kolapsin e sistemit që u krijua mbi bazën e reformës së Soros. Ata që mbështetën reformën përpiqen tani me shpifje e mashtrime të mbulojnë dështimin e tmerrshëm dhe faktin se ka një vend në planet, jo në Mars, ku zbardhja e vendimit të gjykatës kërkon 1200 ditë. Ka një vend dhe këtë standard e solli Reforma e Soros, e bazuar në një korrupsion të paparë,” tha Berisha.
Ai shtoi: “Unë përgëzoj kryetarët e institucioneve që patën kurajën të thonë të vërtetën për shqiptarët. Patën kurajën të pohojnë se shqiptarët tani presin 16 vite për një proces dhe se nga një vit në tjetrin ky afat është shkurtuar 16 ditë. Ata që i imponuan këtë katastrofë Shqipërisë nuk kanë moral e integritet sa të kërkojnë falje. Korrupsioni është trefishuar-pesëfishuar,” përfundoi ai.
