Rehabilitimi i zonave minerare kërkon 100 milionë euro, rrezik për mjedisin dhe shëndetin publik
Një seri zonash minerare të shfrytëzuara ndër vite dhe tashmë të mbyllura, të vendosura në rajone të ndryshme të vendit, kërkojnë rehabilitim për të rritur sigurinë e mjedisit dhe shëndetit publik. Qeveria, në Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin e Sektorit Minerar 2026-2040, pranon një sërë sfidash me të cilat duhet të përballet ky sektor, ku përfshihet edhe rehabilitimi i zonave ku dikur aktiviteti minerar ka qenë mjaft intensiv.
“Trashëgimia historike e veprimtarive minerare, e akumuluar për dekada pa standarde bashkëkohore teknike dhe mjedisore, ka lënë pas një gjurmë të thellë ndotjeje, veçanërisht në zonat e Bulqizës, Rubikut, Kukësit, Korçës, Rehovës, Pogradecit, Hasit, Ersekës, Munellës, Mamëzit, Mëzezit, Memaliajt, Kurbneshit, etj. Depozitimet e mbetjeve minerare, dambat, sterilet dhe kullimi i ujërave acide të ndotura me metale të rënda vazhdojnë të përbëjnë rrezik për tokën, ujërat nëntokësore dhe shëndetin publik”, thuhet në dokumentin e nxjerrë për konsultim.
Gjithashtu, duke iu referuar një studimi të Bankës Botërore, qeveria pranon se kostoja e rehabilitimit të këtyre rajoneve mund të kapë shifrën 100 milionë euro.
“Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, duke marrë parasysh edhe faktin se procesi i mbylljes së minierave joefikase nuk është realizuar konform praktikave Evropiane, kostoja e rehabilitimit dhe rikuperimit të plotë të këtyre zonave tejkalon 100 milionë euro. Kjo e bën këtë ndërhyrje një prioritet strategjik kombëtar për periudhën 2026–2040 dhe një komponent kyç të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, si dhe të Strategjisë Kombëtare për Ndryshimet Klimatike dhe Rritjen e Qëndrueshme 2023–2030”, nënvizohet në strategji.
E njëjta vë theksin tek masat që duhet të merren për përmirësime ligjore dhe përpjekjeve institucionale. Këto masa, të cilat janë marrë edhe më herët në zbatim të Direktivës 2006/21/KE për menaxhimin e mbetjeve të industrive nxjerrëse, mbeten të pjesshme.
Sipas dokumentit, shumë impiante përpunimi dhe depozitime historike minerare vazhdojnë të operojnë me sisteme të pamjaftueshme sigurie, pa monitorim të rregullt, pa sisteme paralajmërimi të hershëm dhe pa plane emergjencash të certifikuara në rast përmbytjesh ose kolapsesh strukturorë. Kjo situatë përbën një rrezik të vazhdueshëm jo vetëm për mjedisin, por edhe për komunitetet që jetojnë në afërsi të zonave industriale./ N.Maho
