Alvaro Rekoba kërkon lojtarin e Flamurtarit, pranë firmës me klubin e ri
Klubi i Flamurtarit do të kryejë disa largime gjatë merkatos së janarit, duke i dhënë lamtumirën lojtarëve që nuk kanë përmbushur pritshmëritë në klubin vlonjat ose nuk dëshirojnë të jenë më pjesë e tij.
Një nga emrat që largohet është anësori sulmues venezuelan, Heiderber Ramirez. Futbollisti luajti rregullisht në pjesën e parë të sezonit, duke zhvilluar 13 ndeshje dhe shënuar një gol. Megjithatë, paraqitja e tij e fundit në fushë ishte më 8 dhjetor kundër Dinamos, pas së cilës ai u zhduk nga radhët e vlonjatëve, pasi nuk ishte më pjesë e grumbullimeve për ndeshjet.
Lojtari ka kërkuar largimin nga vlonjatët dhe duket se 23-vjeçari do të kthehet në Venezuelë për të vazhduar karrierën e tij. Klubi që kërkon futbollistin raportohet të jetë Deportivo Tachira, një ndër klubet më të njohura në vend.
Ai që ka kërkuar shërbimet e futbollistit të Flamurtarit është një emër i njohur i futbollit ndërkombëtar, ish-sulmuesi uruguaian Alvaro Recoba, i cili aktualisht është trajner i 11 herë kampionëve të Venezuelës.
Palët janë në bisedime për prishjen e kontratës së Ramirez, për të mundësuar transferimin e tij te klubi venezuelan në ditët e para të janarit, pasi ai e cilëson si të mbyllur etapën e tij me vlonjatët në futbollin shqiptar.
