“`html
Ku do shkojë Tirana?! Leje ndërtimi rekord në janar-qershor, me vlerë 1.6 miliardë euro
Nëse mendoni se Tirana dhe bregdeti janë mbingarkuar me ndërtime, nuk keni parë gjë akoma. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja kanë shënuar një rritje rekord në gjashtë muajt e parë të vitit, duke i kaluar ndjeshëm edhe vitit 2024, i cili deri tani konsiderohej viti me më shumë leje.
Në total, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 janë arkëtuar nga ‘taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja’ në të gjithë vendin 18.3 miliardë lekë, tre herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë (+200%). Edhe krahasuar me vitin 2024, i cili mban rekordin e dekadës së fundit për të ardhurat nga kjo taksë dhe sipërfaqen më të lartë të lejeve të dhëna, të ardhurat janë më se dyfishuar (+120%). Të ardhurat e mbledhura për gjashtëmujorin janë të barabarta me shumën e arkëtuar në gjithë vitin 2024 (18.6 miliardë lekë) dhe 15% më shumë se arkëtimet e gjithë vitit 2025.
Për krahasim, në gjithë vitin 2024, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, janë dhënë leje për rreth 2 milionë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi.
Tirana mban rekordin, 68% e të ardhurave
Kryeqyteti shqiptar ka qenë qendra e valës së ndërtimeve të dekadës së fundit. Ndërsa duket se nuk ka mbetur më vend pa u ndërtuar, ritmet pritet të përshpejtohen në vitet në vijim. Të dhënat zyrtare tregojnë se rreth 68% e të ardhurave në gjashtëmujorin e parë 2026 kanë ardhur nga Bashkia Tiranë, ose 12.5 miliardë lekë. Kjo shifër është pothuajse sa shuma e arkëtuar për gjithë vitin 2025 dhe 362% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2025, ose gati 5 herë më shumë (në gjashtë muajt e parë të 2025-s u arkëtuan 2.7 miliardë lekë).
Duke llogaritur që taksa e infrastrukturës në Tiranë është 8% e çmimit të shitjes për metër katror, mbi çmimet referuese të tregut, sipërfaqja e dhënë për ndërtim i korrespondon një vlere ndërtimesh prej 156 miliardë lekë, ose 1.6 miliardë euro.
Ndryshimi i fundit i çmimeve referuese për apartamentet në Bashkinë Tiranë është bërë në korrik 2023, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 457, datë 26.07.2023. Çmimet e reja hynë në fuqi në fund të korrikut 2023 dhe zbatohen për 32 zona kadastrale të Tiranës. Kjo nënkupton që rritja e të ardhurave është tërësisht si rrjedhojë e shtimit të sipërfaqes së dhënë për leje ndërtimi.
Për krahasim, në vitin 2025, sipas të dhënave nga formimi bruto i kapitalit fiks, investimet në banesa në të gjithë vendin ishin 222 miliardë lekë dhe në ndërtesa dhe struktura të tjera 260 miliardë lekë. Vetëm në gjashtëmujorin e parë, lejet në Tiranë ishin sa 70% e gjithë investimeve për banesa në vend në vitin 2025.
Himara dhe Saranda do të përballen me valë të re ndërtimesh
Jo vetëm Tirana, edhe bregdeti do të ketë një valë tjetër ndërtimesh, sidomos jugu. Rekordin e mban Himara. Të ardhurat e arkëtuara nga kjo bashki ishin 1.2 miliardë lekë, ose 301% më shumë se gjashtëmujori i parë 2025. E treta nga vlera është Durrësi, me 841 milionë lekë, me rritje 58%. Saranda ka arkëtuar 478 milionë lekë, ose gati 7 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2025. Ndërsa duket sikur në Golem nuk ka më vend për të ndërtuar, të ardhurat nga taksa e infrastrukturës u rritën me 37%.
Heshtje statistikore për lejet e ndërtimit
Që prej fillimit të vitit 2025, botimi i statistikave mbi lejet e ndërtimit mbështetet aktualisht vetëm në të dhënat e siguruara nga bashkitë, të cilat janë autoritetet kryesore për dhënien dhe raportimin e këtyre lejeve. Megjithatë, Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 408, datë 13.5.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar, përcakton se në procesin e miratimit të lejeve të ndërtimit përfshihen edhe institucione të tjera përgjegjëse, përveç bashkive.
Duke qenë se ende nuk ka një raportim të standardizuar dhe të plotë nga të gjitha këto entë pranë INSTAT, të dhënat e publikuara bazohen vetëm në burimet bashkiake. Në mungesë të përditësimit të të dhënave nga INSTAT për sipërfaqen e lejeve të ndërtimit, që raporton prej gati një viti vetëm pushtetin vendor dhe jo lejet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Mjedisit (KKTM), të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë janë treguesi më i saktë për përmasat që pritet të marrë ndërtimi në vend.
Muajt e fundit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Mjedisit kanë marrë në shqyrtim disa qindra kërkesa për leje ndërtimi e zhvillimi, ku përfshihen projekte turizmi, rezidencialë, infrastrukturë publike, ndërhyrje në energji dhe transport. Këto leje nuk raportohen në statistikat zyrtare, duke krijuar mungesë transparence për atë se çfarë pritet të ndodhë realisht me një nga sektorët më dinamikë të ekonomisë, që vitet e fundit ka shërbyer si kanalizues i parasë informale, siç rezultoi qartë nga hetimet e SPAK.
Mungesa e transparencës nuk lejon analizën e sektorit, që vitet e fundit është përballur me një paradoks ku çmimet rriteshin ndjeshëm bashkë me ofertën dhe kërkesa zyrtare nuk e justifikonte këtë tendencë. Për më tepër, edhe ekspozimi i sektorit bankar është rritur ndjeshëm, me stokun e kredisë për pasuri të paluajtshme që përbën rreth 52% të totalit.
“`
