“`html
Analizë: Rendi botëror drejt shpërbërjes, Evropa para një epoke të re të vetafirmimit
Rendi botëror duket se është duke u shpërbërë, por çfarë do të vijë më pas? Konferenca e Sigurisë së Mynihut sivjet kërkon përgjigje.
Atmosfera e përgjithshme mes udhëheqësve europianë në prag të Konferencës së Sigurisë në Mynih (MSC 2026) mund të përshkruhet më shumë si zhgënjyese sesa shpresëdhënëse. Pak më shumë se një vit pasi Donald Trump nisi mandatin e tij të dytë si President i SHBA-së, marrëdhëniet transatlantike konsiderohen si të tronditura. Politika e jashtme çorientuese e Trump-it po hedh hije mbi takimin e nivelit të lartë (13.02 – 15.02.2026), i njohur ndërkombëtarisht si Konferenca e Sigurisë në Mynih.
Cënimi i tiparit kryesor të politikës aktuale
Konferenca prej dekadash e cilëson veten si transatlantike. Por ndërkohë, në fakt mbizotëron një “krizë besimi e paparë ndonjëherë”, u shpreh kryetari i konferencës Wolfgang Ischinger. “Munich Security Report”, raporti që publikohet krahas Konferencës së Sigurisë sivjet, mban titullin shumë domethënës “Në shkatërrim”. Donald Trump në raport klasifikohet në kategorinë e “demolition men”, pra një kreu shteti që me politikën e tij po shkatërron rregullat në fuqi dhe institucionet e respektuara. Vërejtja e Trumpit, se atij nuk i duhet e drejta ndërkombëtare, është vetëm një ndër shumë dëshmi për këtë.
Ndonëse nën një shenjë të vështirë si kurrë më parë, Konferenca e Sigurisë, e themeluar para më shumë se 60 vjetësh, vazhdon të shërbejë si një forum për shkëmbime dhe dialog. Ndër rreth njëmijë pjesëmarrësit, mbi 200 janë përfaqësues qeverish nga 120 shtete. Në hotelin prestigjoz me traditë “Bayerischer Hof”, ku zhvillohet konferenca, do të priten presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski, presidenti francez Emmanuel Macron, ministri i Jashtëm kinez Vang Yi dhe Mette Frederiksen, kryeministrja daneze, e cila së fundi me kurajo i tha stop Donald Trumpit, kur ky ngriti pretendimet për pronësinë ndaj Grenlandës, që i përket Danimarkës.
Qeveria e SHBA-së dërgon ministrin e Jashtëm Marco Rubio
Pavarësisht tensioneve në raportet transatlantike, edhe sivjet nga SHBA-ja vjen një delegacion i madh, megjithëse administrata Trump përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Marco Rubio. Drejtuesi i konferencës Ischinger thotë se pret që Rubio të flasë për “politikën e jashtme amerikane dhe jo për temat që nuk kanë të bëjnë direkt me dikasterin e tij.” Kjo thënie nisur nga fjalimi i zëvendëspresidentit të SHBA-së JD Vance vitin e kaluar, i cili irritoi publikun në konferencë. Vance, i cili sivjet nuk bën pjesë në listën e pjesëmarrësve, në fjalimin e tij kritikoi gjoja mungesën e lirisë së shprehjes në Europë.
Por delegacioni nga SHBA-ja nuk përbëhet vetëm nga mbështetësit e Trumpit. Ndër pjesëmarrësit janë edhe kundërshtarë të presidentit të SHBA-së, si Gavin Newsom, guvernatori i Kalifornisë. Në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ai bëri të qartë se në të ardhmen pret “më shumë shtyllë kurrizore” dhe qendrueshmëri nga europianët – sepse po gjunjëzohen shpejt para Trumpit.
Europa para një epoke të re të vetafirmimit?
Me këtë fjalim, Newsom preku thelbin e njërës prej temave që do të luajnë një rol të rëndësishëm sivjet në konferencë: Si duhet të riorientohet Europa në situatën e ndryshuar botërore? Çfarë roli mund të luajë Gjermania në këtë drejtim? Lidhur me këtë, do të flasë Friedrich Merz, i cili të premten (13.02.2026) do të hapë konferencën, për herë të parë në pozitën e Kancëlarit. Në një deklaratë qeveritare në Bundestag, Merz së fundi u bëri thirrje europianëve, “të mësojnë vet ta flasin gjuhën e politikës së pushtetit.” Këtu bëjnë pjesë investime masive në aftësitë mbrojtëse europiane, si dhe ndërtimi i partneriteteve të reja. Kudo në botë ka “demokracira në ekspansion me tregje të hapura në rritje, që kërkojnë pikërisht atë që ne mund të ofrojmë”, theksoi Merz në Bundestag. Duke iu referuar SHBA-së, ai shtoi: “Si demokraci ne jemi partnerë dhe aleatë, dhe jo të nënshtruar.” Në Mynih, Kancëleri mund t’i shpjegojë edhe më në detaje këto mendime – duke vendosur theksin për një debat, në të cilin kriza aktuale konsiderohet edhe si një katalizator për ndryshime strategjike.
Përfaqësuesit e regjimit të Iranit të padëshiruar
Ftesat për në Konferencën e Sigurisë në Mynih janë mjaft të preferuara, por ato jepen të menduara mirë. Ndryshe nga vitet e kaluara, sivjet nuk janë të mirëpritur në Mynih përfaqësuesit e qeverisë së Iranit. Arsyeja: Dhuna masive me të cilën udhëheqja në Teheran i mposhti demonstratat e fundit në vend. Në konferencë do t’u jepet fjala përfaqësuesve të opozitës iraniane dhe të shoqërisë civile.
Edhe pse lufta e Rusisë kundër Ukrainës do të jetë një temë qendrore në konferencë, përfaqësues të qeverisë ruse nuk do të jenë të pranishëm. Në vitin 2022, pak para fillimit të sulmit rus ndaj Ukrainës, delegacioni rus anuloi pjesëmarrjen në mënyrë kolektive, kujton drejtuesi i konferencës Ischinger. Qysh atëherë, thotë ai, nuk kam dëgjuar më “asnjë zë” nga Moska për një pjesëmarrje të mundshme. Duke iu referuar bisedimeve për mundësinë e fundit të luftës, Ischinger thekson se Rusia, ndonëse bën sikur është e gatshme për bisedime, vazhdon njëkohësisht të sulmojë me terror popullsinë civile ukrainase.
Çmimi Ewald-von-Kleist i Konferencës së Sigurisë në Mynih
Për këtë arsye, sivjet nuk i akordohet një personaliteti i vetëm, por “të gjithë popullit të guximshëm ukrainas”.
“`
