GRAFIKËT: Rënia e Euros deri në vitin 2024 shpjegohet më shumë nga lejet e ndërtimit sesa nga turistët
Burimi: Banka e Shqipërisë, INSTAT
Euro ka shënuar një rënie të ndjeshme në vend, duke filluar që nga fundi i vitit 2016. Në vitin 2015, monedha e përbashkët këmbehej mesatarisht me rreth 140 lekë. Në vitin 2016, niveli i saj zbriti në 137.4 lekë. Që atëherë, zhvlerësimi i euros nuk është ndalur, duke arritur në 119 lekë në vitin 2022 dhe 100.7 lekë në vitin 2024. Në vitin 2025, euro ra për herë të parë nën kufirin e 100 lekëve, me një mesatare vjetore prej 97.8 lekësh. Nënçmimi ka vijuar me ritme më të ngadalta edhe këtë vit, duke regjistruar një mesatare prej 95.6 lekësh nga 1 janari deri në 17 korrik.
Cilët janë faktorët që kanë çuar në humbjen e 20 lekëve nga euroja nga viti 2015 deri në 2022 (nënçmim 15%), 40 lekë nga 2015 deri në 2024 (nënçmim 28%) dhe 42 lekë (-30%) në një dekadë (nga 2015 deri në 2025)? Nga përpunimi i të dhënave zyrtare nga “Monitor” dhe bisedat me operatorët e tregut, rezulton se dy kanë qenë arsyet kryesore që shpjegojnë këtë rënie të euros.
1. Lejet e ndërtimit dhe kursi
Së pari, të paktën deri në vitin 2024, shpjegimi kryesor lidhet me rritjen e ndërtimit në vend. Ky sektor mori përmasa më të mëdha gjatë viteve të fundit, çka konstatohet edhe nga niveli i lartë i sipërfaqes së lejeve që u dhanë për ndërtim, të cilat arritën rekordin prej 2.1 – 2.7 milionë metra katrorë në vitet 2021 – 2024. Grafiku i parë tregon lidhjen e zhdrejtë mes rritjes së sipërfaqes së lejeve për ndërtim dhe zhvlerësimit të monedhës së përbashkët për periudhën 2015 – 2024.
Për vitin 2025, një krahasim i tillë është i pamundur, pasi INSTAT nuk arrin të llogarisë plotësisht sipërfaqen e lejeve të ndërtimit. Për ndërtesat mbi 7 kate, lejet nuk jepen më nga Bashkitë, por nga Këshilli i Rregullimit të Territorit, i cili nuk i raporton këto të dhëna. Megjithatë, të dhëna indirekte nga të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë tregojnë se për vitin 2025 ka pasur një rënie të lehtë të sipërfaqes së ndërtimit, por ajo është rritur dukshëm në pesë muajt e parë të vitit 2026.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, për pesë mujorin janë arkëtuar 15.3 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, ndërsa në vitin më të mirë, 2024, arkëtimet nga ky tatim ishin 18 miliardë lekë për të gjithë vitin, ose e njëjta shifër me vitin 2025 (në vitin 2025, të ardhurat nga ky zë ishin 16.3 miliardë lekë, me një rënie prej 11% nga viti 2024). Nisur nga këto të dhëna, llogaritjet indirekte sugjerojnë se vetëm për pesë muajt e parë të vitit 2026 mund të jenë dhënë rreth 2 milionë metra katrorë ndërtim, të cilët pritet të fillojnë të bëhen të dukshëm në vitet në vijim.
Nga një vëzhgim në Tiranë, është e qartë se objektet që po ndërtohen aktualisht janë kryesisht leje të dhëna në vitin 2025. Hetimet e SPAK zyrtarizuan faktin se sa lehtë ka hyrë paraja informale në sektorin e ndërtimit, edhe me skemat më elementare, siç është transporti i parave në cash me kamion. Një kompani që SPAK e ka vënë në hetim për lidhje me grupe kriminale dhe pastrimin e parave, ka rritur të ardhurat nga 181 milionë lekë në vitin 2017 në 4 miliardë lekë në vitin 2024, duke u bërë brenda pak viteve operatori më i madh për ndërtimet rezidenciale, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit, që publikon bilancet.
Në vitin 2024, kompania kishte detyrime prej 6 miliardë lekë dhe një kapital prej 1 miliardë lekësh. Raporti i detyrimeve ndaj kapitalit ishte rreth 6 me 1, që do të thotë se për çdo 1 lekë kapital të vet, kompania kishte rreth 6 lekë detyrime, dhe se zgjerimi i aktivitetit ishte mbështetur kryesisht te financimet nga palët e treta, jo te fondet e aksionerëve. Nova raportonte në detyrimet afatgjata 3.6 miliardë lekë ndaj palëve të treta dhe asnjë kredi afatgjatë, si dhe në detyrimet afatshkurtra 2.65 miliardë lekë të pagueshme për aktivitetin e shfrytëzimit, dhe sërish asnjë kredi. Këto të dhëna tregojnë se kompania nuk e kishte mbështetur zgjerimin e saj te financimi bankar klasik. Burimi kryesor i financimit rezulton të ketë qenë borxhi ndaj palëve të treta, furnitorëve, klientëve ose subjekteve të lidhura me aktivitetin, në varësi të përbërjes së detajuar të këtyre zërave. Bankat zakonisht preferojnë që detyrimet të mos jenë më shumë se dy deri në tre herë kapitali, megjithëse kufiri ndryshon sipas sektorit dhe flukseve të kompanisë. Raporti 6 me 1 i Nova Construction sinjalizon një nivel të lartë të levës financiare. Në ndërtimin rezidencial, detyrimet ndaj palëve të treta përgjithësisht përfshijnë edhe parapagimet e klientëve, financime nga ortakët, detyrime ndaj kompanive të lidhura, kontraktorëve dhe furnitorëve, çka mundëson kanalizimin me lehtësi të parasë informale në ndërtim.
2. Të ashtuquajturat “fondamente” shpjegojnë pjesërisht forcimin e Euros nga viti 2024
Faktori i dytë që ndikon në kursin e këmbimit janë të ashtuquajturat “fondamente”, të cilat zyrtarisht përmenden shpesh dhe kanë ndikuar në forcimin e Lekut. Këto nënkuptojnë një përmirësim të deficitit të llogarisë korrente, si rrjedhojë e përmirësimit të ekonomisë reale. Llogaria korrente mat diferencën mes valutës që hyn dhe asaj që del nga vendi përmes tregtisë së mallrave e shërbimeve, të ardhurave nga puna dhe investimet, bilancit të udhëtimeve, si dhe transfertave nga emigrantët.
Vendi ka qenë gjithmonë me deficit negativ të llogarisë korrente, çka nënkupton që më shumë valutë del nga Shqipëria sesa hyn, kryesisht e lidhur me nivelin e lartë të importeve dhe eksportet e ulëta, si dhe transferimin e fitimeve nga kompanitë e huaja. Në kahun tjetër, burimet e hyrjes së valutës janë remitancat, të ardhurat nga puna dhe bilanci nga udhëtimet, ku turistët sjellin valutë dhe shqiptarët e nxjerrin jashtë.
Përmirësimi i këtij deficiti teorikisht duhet të çojë në forcimin e monedhës vendase. Por, nga viti 2016 deri në vitin 2022 ndodhi e kundërta. Ndonëse deficiti i llogarisë korrente u përkeqësua (në vitin 2022 dolën neto 1.1 miliardë euro nga vendi, ose 37% më shumë se në 2016), pra zyrtarisht doli më shumë valutë nga vendi, Euro u nënçmua me 13% për të njëjtën periudhë.
Nga viti 2023, deficiti i llogarisë korrente filloi të përmirësohej, sidomos në tremujorin e tretë, për shkak të prurjeve të turistëve, duke u bërë faktor shtesë në rënien e Euros. Deficiti i llogarisë korrente zbriti në 374 milionë euro në vitin 2023. Megjithatë, në vitin 2024 ai u përkeqësua sërish në 610 milionë euro, ndonëse zhvlerësimi i monedhës së përbashkët vazhdoi. Euro u nënçmua me 8 lekë në vitin 2024 në raport me vitin e mëparshëm, me një rënie prej 8%. Në vitin 2025, kur euro zbriti poshtë 100 lekëve, deficiti u përmirësua ndjeshëm, në 178 milionë euro, duke qenë një faktor i rëndësishëm që ndikoi në rënien e euros.
Efektin kryesor në përmirësimin e deficitit e dhanë prurjet e turizmit, me bilancin neto të udhëtimeve që arriti në 2.7 miliardë euro dhe remitancat, në 1.1 miliardë euro, duke reflektuar ciklin e ri të emigracionit në vend. Në kahun tjetër, kërkesa nga turizmi më shumë sesa nxiti prodhimin vendas çoi në financimin e importeve, me deficitin tregtar që arriti rekordin e 5.9 miliardë eurove!
O.Liperi
Burimi: Banka e Shqipërisë, INSTAT
Burimi: Banka e Shqipërisë
Burimi: BSH, përpunime të Monitor
