Rënie historike Euro-Lek: Drejt 96 lekëve, Banka Qendrore ndërhyn

Kursi i Euro-Lek bie në minimum të ri historik, drejt kufirit të 96 lekëve

Kursi i këmbimit Euro-Lek e ka nisur muajin mars në rënie, duke prekur një nivel minimal historik të ri. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 96.19 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Aktorët e tregut tregojnë se oferta e Euros vazhdon të jetë e bollshme, madje edhe përtej niveleve të zakonshme për tremujorin e parë të vitit. Megjithëse është e vështirë të përcaktohen faktorët që kanë ndikuar ofertën valutore në kohë reale, për shkak të vonesës së informacionit statistikor, një element specifik për këtë vit duket se janë eksportet e energjisë elektrike.

Për shkak të prurjeve të favorshme hidrike, prodhimi i energjisë në dy muajt e parë të vitit 2026 ka qenë i lartë dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka zhvilluar disa ankande për shitjen e energjisë elektrike. Ky mund të jetë një faktor shtesë që ka kontribuar në rritjen e flukseve të Euros në tregun valutor.

Sa i përket turizmit, i cili ka qenë faktori me ndikimin kryesor në flukset hyrëse valutore në vitet e fundit, statistikat zyrtare për muajin e parë të këtij viti tregojnë një frenim. Hyrjet e shtetasve të huaj pësuan një rënie vjetore prej 1.5% në janar.

Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se turizmi po fiton një peshë të qëndrueshme dhe një shpërndarje gjatë gjithë vitit, duke u lidhur jo vetëm me pushimet, por edhe me qëllime më specifike, veçanërisht turizmin mjekësor.

Burimet nga tregu bankar raportojnë se Banka e Shqipërisë po vazhdon rregullisht blerjet e saj të Euros në tregun e brendshëm, duke u përpjekur të frenojë rënien e kursit Euro-Lek. Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë duket se po e mban këtë rënie në ritme më të përmbajtura, por pa e frenuar plotësisht.

Sipas të dhënave zyrtare, për nëntë muajt e parë të vitit 2025, Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej 825.6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Kjo është vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për këtë periudhë të vitit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, blerjet e valutës janë rritur me 52.2%.

Ndërkohë, për vitin 2026, Banka e Shqipërisë do të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm. Sipas informacioneve nga Banka Qendrore, ajo synon të blejë përmes ankandeve 330 – 450 milionë euro, me objektivin e rritjes së rezervës valutore. Objektivi i blerjeve është rritur ndjeshëm krahasuar me projeksionet në intervalin 270-350 milionë euro të parashikuar për vitin 2025.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Scroll to Top