Rënie Importesh Akcizë: Mungesa e Turistëve Dëmton Ekonominë

Mungesa e turistëve, rënie e importeve të mallrave të akcizës në dy muajt e parë të vitit

Përveç cigareve, importet e mallrave të tjera të akcizës kanë shënuar rënie në dy muajt e parë të vitit 2026, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave. Pas një rritjeje të fortë përgjatë vitit 2025, tregu ka pësuar një goditje në volum, veçanërisht në sektorin e pijeve dhe lëndëve djegëse.

Goditjen më të rëndë e ka marrë importi i birrës, i cili ka rënë me mbi 20% krahasuar me fillimin e vitit të kaluar, duke reflektuar një ulje të kërkesës me rreth 1.2 milionë litra më pak. E njëjta tendencë negative vërehet edhe te kafeja, ku importet janë tkurrur me rreth 8%, duke zbritur në nivelin e 1,142 tonëve për periudhën janar-shkurt 2026.

Kjo rënie i dedikohet kryesisht një aktiviteti më të plogësht ekonomik, për shkak të mungesës së turistëve. Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i vizitorëve ka qenë gati 2% më i ulët në janar, teksa popullsia rezidente është në tkurrje si pasojë e emigracionit të lartë dhe rënies së lindjeve.

Duke qenë se kafeja është një produkt që konsumohet masivisht nëpër bare, tkurrja e popullsisë, veçanërisht të rinjve, dhe rënia e numrit të turistëve ndikojnë drejtpërdrejt në volumin e importit.

Gjithashtu, konsumi i karburanteve të importuara ka pësuar një rënie prej 4.19%, një shifër kjo që sinjalizon ngadalësimin e aktivitetit ekonomik dhe qarkullimit në vend. Kjo rënie, më e fortë në janar sesa në shkurt, lidhet me një kërkesë më të dobët se viti i kaluar nga sektori i turizmit.

Ndryshe nga mallrat e tjerë, kategoria e cigareve ka shënuar një rritje befasuese prej mbi 20%. Ky devijim nga trendi i përgjithshëm rënës i akcizës sugjeron një orientim të ndryshëm të konsumit ose një ulje të kontrabandës në këtë zë.

Në përgjithësi, panorama e fillimvitit mbetet e vështirë për të ardhurat buxhetore, duke pasur parasysh se tre mallrat kryesorë të akcizës janë në rënie. Rritja e çmimeve të naftës dhe efektet zinxhir të saj mund të ngadalësojnë më tej importet e këtyre mallrave. Megjithatë, nëse çmimet do të vijnë në rritje, të ardhurat buxhetore do të favorizohen sërish nga rritja e të ardhurave nga TVSH-ja, por kostot do të rëndojnë mbi konsumatorët.

Në mungesë të turistëve, ekonomia shqiptare do ta ketë shumë të vështirë të gjejë burime rritjeje në këtë vit.

Scroll to Top