“`html
Të rinjtë nuk pinë më alkool, konsumi në bare dhe restorante nuk po arrin të rikuperohet
Baret dhe restorantet po përballen me pasoja të ndryshimit të sjelljes së konsumatorëve, reduktimin e popullatës dhe uljen e numrit të turistëve.
Sipas Kryetarit të Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahja, konsumi për muajt janar-shkurt ka shënuar një rënie prej 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Zoti Jahja shpjegon se kjo ulje lidhet me një sërë faktorësh:
- Mungesa e konsumatorëve në qytete.
- Ofertë e ngjashme në treg.
- Çmime të larta në disa nga restorantet më të njohura të Tiranës, ku çmimi për person ka arritur deri në 4,000 lekë.
- Bllokime infrastrukturore në Juglindje, siç është rruga Librazhd-Përrenjas, që kanë penguar furnizimin dhe lëvizjen e klientëve.
Ai gjithashtu thekson se në bare, kërkesa për kafe ka rënë ndjeshëm, duke favorizuar produkte më të lira dhe me cilësi më të ulët, pasi konsumatorët, kryesisht pensionistë, kërkojnë çmime të përballueshme.
Edhe frekuentimi i jetës së natës ka shënuar rënie në këtë periudhë.
Kleantino Goga, kryetari i Shoqatës së Bartendërve, konfirmon se kërkesa për pije alkoolike në bare është e ulët për muajt janar-shkurt. Sipas tij, në këtë ulje ndikojnë ndryshimet në sjelljen e konsumatorëve, përfshirë të rinjtë, por edhe grupmoshën mbi 40 vjeç.
Zoti Goga shprehet:
- “Të rinjtë që frekuentojnë jetën e natës, prej vitesh tashmë nuk konsumojnë pije alkoolike. Më tepër parapëlqehen pije spumante dhe pa alkool.”
- “Ndërsa grupmosha mbi 40 vjeç nuk frekuenton baret apo edhe klubet e natës, më tepër frekuenton birraritë e lagjeve.”
Operatorët parashikojnë që kërkesa të rigjallërohet gjatë muajit maj, me fillimin e sezonit turistik.
Një problematikë tjetër për industrinë mbetet mungesa e fuqisë punëtore, pasi brezi i ri refuzon të punojë në sektorin e shërbimit, duke thelluar hendekun e burimeve njerëzore.
“`
