Kredia e dhënë nga sektori i mikrofinancës pësoi rënie vitin e kaluar
Masat e Bankës së Shqipërisë për shtrëngimin e kredisë konsumatorë të dhënë nga institucionet e mikrofinancës duket se kanë sjellë një ngadalësim të ndjeshëm të kreditimit në këtë segment. Statistikat tregojnë se kreditimi i dhënë nga institucionet financiare jobanka ka pësuar një ngadalësim të ndjeshëm vitin e kaluar.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vlera e portofolit të kredisë të dhënë nga këto institucione arriti në 62.7 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 9.5% krahasuar me një vit më parë. Ky zhvillim paraqet një ngadalësim të ndjeshëm, veçanërisht nëse merret parasysh se në fund të vitit 2024, rritja kishte qenë dyshifrore, në nivelin 10.3%.
Vlera e portofolit të kredisë të përfshirë në këtë statistikë përfshin huatë e dhëna nga të gjitha institucionet financiare jodepozituese. Kjo do të thotë se nga ky klasifikim përjashtohen bankat dhe shoqëritë e kursim-kreditit. Klasifikimi përfshin të gjitha institucionet e tjera financiare të licencuara nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Megjithatë, mes këtyre institucioneve, vetëm institucionet financiare jobanka të huadhënies dhe mikrokredisë kanë si objekt aktiviteti kryesor kreditimin. Për këtë arsye, vlerësohet se ky portofol i përket në pjesën dërrmuese atyre dhe mund të shërbejë si një tregues i përafërt i ecurisë së kreditimit nga mikrofinanca.
Ky portofol, megjithatë, nuk përfshin vetëm huadhënien konsumatorë, por edhe huatë e dhëna për subjektet e biznesit. Është fakt se rritja e vrullshme e mikrokredisë konsumatorë në vitet e fundit ka qenë shtysa kryesore në zgjerimin e portofolit të kredisë së institucioneve financiare jobanka. Për pasojë, ngadalësimi i rritjes së portofolit gjatë vitit 2025 mund të interpretohet, të paktën pjesërisht, si efekt i masave shtrënguese të Bankës së Shqipërisë.
Në fillim të vitit 2025, nisi aplikimi i të ashtuquajturës “paketa mbrojtjes konsumatore të publikut”, veçanërisht në raport me produktet e mikrofinancës. Banka e Shqipërisë miratoi disa masa që synonin të forconin kriteret e kreditimit nga institucionet mikrofinanciare dhe të shtonin transparencën e këtyre produkteve. Njëkohësisht, u ul çmimi maksimal i lejuar i huave të vogla konsumatore.
Rregullorja vendosi një vlerë tavan të kësteve të kredisë në raport me të ardhurat mujore neto të huamarrësve. Vlera e raportit të shërbimit të borxhit për kreditë e dhëna nga mikrofinanca nuk duhet të tejkalojë vlerën prej 60%. Gjithashtu, një institucion financiar jobankë nuk lejohet të japë në të njëjtën kohë më shumë se dy kredi konsumatore për të njëjtin huamarrës.
Rregullat e vendosura përcaktuan se institucioni financiar, përpara se të lidhë një kontratë kredie dhe gjatë procesit të monitorimit të kredisë në kohëzgjatjen e saj, duhet të vlerësojë aftësinë paguese dhe profilin e rrezikut të kredimarrësit, bazuar në të dhëna të mjaftueshme, të sakta dhe të përditësuara.
Në veçanti, subjekti duhet të kryejë verifikime të arsyeshme dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të verifikuar informacionin në lidhje me burimin e aftësisë paguese, në rastet e kredimarrësve që janë të vetëpunësuar ose kanë të ardhura sezonale apo të tjera të parregullta. Huadhënësi duhet gjithashtu të shmangë nxitjen e vështirësive të panevojshme financiare dhe krijimin e situatës së mbingarkesës me borxh të huamarrësit.
Banka e Shqipërisë vendosi gjithashtu uljen e normës maksimale efektive të interesit (NEI maksimal) për kreditë konsumatore më të vogla se 200 mijë lekë. Ky tregues ndërtohet si mesatare e normës efektive të interesit për secilin produkt dhe interval, e shtuar me një të tretën.
Sipas ndryshimeve të miratuara nga Banka e Shqipërisë në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”, norma maksimale e interesit (NEI maksimal) për kreditë konsumatore deri në vlerën e 200 mijë lekëve do të jetë sa mesatarja e thjeshtë e normës efektive të interesit për kredinë e dhënë, pa u shtuar me një të tretën.
