Tremujori i dytë fillon me një tjetër rënie për euron, me kursin ndaj lekut që arrin një rekord të ri prej 95.8 lekësh.
Kursi i këmbimit mes euros dhe lekut ka pësuar një rënie të re ditën e sotme. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 95.8 lekë, duke arritur nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Kursi ka rënë me 0.23 lekë krahasuar me ditën e djeshme.
Që nga fillimi i vitit, kursi euro-lek ka pësuar rënie me 1%, ndërsa në bazë vjetore rënia ka arritur në 3.4%. Agjentët e këmbimit valutor shprehen se tregu pati një rritje të lehtë të kërkesës për euro në ditët e fundit të muajit mars, çka ngriti përkohësisht kursin sipër nivelit të 96 lekëve. Megjithatë, me përfundimin e muajit, kërkesa ka rënë menjëherë, ndërsa oferta e valutës në treg duket e qëndrueshme.
Kjo situatë ka bërë që kursi të bjerë përsëri poshtë 96 lekëve, madje duke prekur një minimum të ri historik. Agjentët e këmbimit valutor e përshkruajnë këtë dinamikë si një lloj fenomeni “sustë”. Rritjet afatshkurtra të kërkesës sjellin një ngritje të përkohshme të kursit të euros, por me uljen e kërkesës, kursi bie menjëherë në nivelet e mëparshme.
Kursi i këmbimit euro-lek vazhdon të karakterizohet nga një tendencë rënëse, që gjatë vitit 2026 u shtri edhe në tremujorin e parë të vitit, një zhvillim i pazakontë në të dhënat historike. Me nisjen e tremujorit të dytë, ka gjasa që këto presione të forcohen më shumë, duke pasur parasysh një efekt në rritje të turizmit, sidomos pas muajit maj.
Banka e Shqipërisë po ndërhyn rregullisht në tregun valutor, me qëllim për ta mbajtur nën kontroll forcimin e monedhës vendase. Sipas statistikave zyrtare, gjatë vitit 2025 Banka Qendrore bleu 1 miliard e 27 milionë euro, jo vetëm për rritjen e rezervës valutore, por kryesisht për të frenuar forcimin e kursit të këmbimit të lekut. Sasia e valutës së blerë është rritur me 10% krahasuar me një vit më parë, duke treguar ndikimin e bankës qendrore në kursin e këmbimit. Në mungesë të këtyre ndërhyrjeve, rënia e euros ndaj lekut do të kishte qenë edhe më e madhe.
Këtë vit, Banka e Shqipërisë parashikon të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm. Ajo synon të blejë përmes ankandeve 330 – 450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. Objektivi i blerjeve është rritur ndjeshëm krahasuar me projeksionet në intervalin 270-350 milionë euro të parashikuar për vitin 2025. Megjithatë, në një skenar të rritjes së inflacionit, të shoqëruar paralelisht edhe me rënien e mëtejshme të kursit euro-lek, hapësirat e Bankës së Shqipërisë për të ndërhyrë mund të ngushtohen.
