Reshje shiu dhe dëbore gjatë natës, vështirësi në disa akse rrugore
Reshjet e shiut kanë vijuar gjatë natës në të gjithë vendin, ndërsa dëbora ka përfshirë zonat veriore dhe juglindore, duke sjellë vështirësi në qarkullimin rrugor.
Sipas njoftimit zyrtar, reshje dëbore janë regjistruar në:
- Rajoni Verior: akset Bajram Curri–Valbonë, Ura Bujan–Qafë Morinë, Bujan–Qafë Morinë (doganë), Sopot–Kërrnaj, Qafë Mejdan–Tropojë–Buçaj Bulqizë, Qafë Bualli–Peshkopi, Peshkopi–Maqellarë, Hani i Hotit–Dogana Vermosh, Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Pukë–Fushë Arrëz, Bogë–Theth dhe Qafë Mali–Fushë Dukagjin.
- Rajoni Qendror: segmentet Surrel–Qafë Priskë–Qafë Mollë, Elbasan–Gjinar dhe Ibë–Kërrabë–Elbasan.
- Rajoni Jugor: Llogara, Qafë Thanë, Korçë–Voskopojë, Boboshticë–Dardhë, Korçë–Ersekë dhe Ersekë–Leskovik.
Autoritetet bëjnë me dije se kontraktorët me mjete dhe punëtorë janë në terren pa ndërprerje, 24 orë në ditë, për pastrimin e akseve rrugore.
Drejtuesve të mjeteve u rekomandohet të shmangin lëvizjet jo të domosdoshme dhe të kryejnë vetëm udhëtime esenciale, me qëllim garantimin e sigurisë dhe lehtësimin e punës së ekipeve të mirëmbajtjes.
Përdorimi i gomave dimërore është i detyrueshëm për automjetet që qarkullojnë në zonat malore apo në segmentet ku është njoftuar prani dëbore dhe ngricash, pasi ato sigurojnë frenim më të mirë dhe kontroll më të lartë në kushte të vështira moti.
Autoriteti Rrugor u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të sigurohen që automjetet të jenë të pajisura me goma dimërore, të ndjekin paralajmërimet e strukturave të emergjencës dhe të mos nënvlerësojnë rrezikun nga ndryshimet e motit.
