Reshjet e dendura të shiut në Bulqizë kanë sjellë probleme në disa akse rrugore, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim.
Reshjet e shumta të ditës së djeshme dhe të natës së kaluar kanë prekur disa akse rrugore në Bulqizë, si ato kombëtare ashtu edhe ato rurale. Një nga zonat më të goditura është aksi rrugor që lidh Lagjen e Vjetër me Lagjen e Re. Ky aks është përmbytur plotësisht, duke bërë të vështirë qarkullimin si për automjetet ashtu edhe për këmbësorët.
Sipas drejtuesve të mjeteve dhe banorëve, ky problem përsëritet sa herë që ka reshje. Vitin e kaluar, disa automjete pësuan dëme në pjesët motorike pikërisht në këtë aks rrugor, për shkak të nivelit të lartë të ujit.
