Rezervat ujore Shqipërisë: Potencial i pashfrytëzuar

Uji, kapitali i fjetur i vendit: Vetëm 1.8% përdoret për bujqësinë

Bujqësia është konsumatori më i madh i ujit në botë. Sipas të dhënave më të fundit statistikore të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë së Kombeve të Bashkuara (FAO), bujqësia zë rreth 51% të gjithë ujit të ëmbël që tërhiqet nga lumenjtë, liqenet dhe burimet nëntokësore në rang global. Në disa vende, kjo shifër shkon deri në 90%, pasi bujqësia është motori kryesor i ekonomisë dhe kërkon vaditje intensive.

Ndërkohë, Shqipëria përdor vetëm 1.87% të rezervave të saj ujore për bujqësinë. Sipas të dhënave zyrtare, sipërfaqja potenciale që mund të vaditet llogaritet në rreth 225,000 hektarë, që përbën afërsisht 31% të totalit të tokës bujqësore në vend, e cila është rreth 677,000 hektarë.

Të dhënat e AQUASTAT tregojnë se në nivel global, rreth 40% e prodhimit ushqimor vjen nga toka të vaditura artificialisht. Në shumë vende të botës, pa vaditje nuk ka prodhim. Shqipëria përdor shumë pak ujë për bujqësinë, nën 2% në raport me atë që ka në dispozicion, çka tregon se vendi shfrytëzon një pjesë fare të vogël të pasurisë së tij ujore.

Duke e krahasuar vendin tonë me vendet e tjera, shifrat sugjerojnë se një pjesë e madhe e tokës bujqësore nuk punohet ose nuk vaditet në mënyrë sistematike, teksa një pjesë mbështetet kryesisht te reshjet atmosferike. Kjo e veçon Shqipërinë si një vend që shfrytëzon vetëm një pjesë të vogël të tokës bujqësore dhe bazohet shumë pak te vaditja.

Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë së Kombeve të Bashkuara (FAO) ka krijuar një databazë, AQUASTAT, e cila tregon përdorimin e rezervave ujore në botë dhe krijon indeksin e stresit të ujit. Të dhënat e FAO-s konfirmojnë se Shqipëria gëzon një pozicion të lakmueshëm sa i përket sigurisë dhe qëndrueshmërisë së burimeve ujore, duke u distancuar ndjeshëm nga trendët shqetësuese globale të mungesës së ujit.

Sipas shifrave të përpunuara për vitin 2022, niveli i stresit ujor në vendin tonë ka mbetur në kuota minimale prej 3.56%, një vlerë kjo që është pothuajse pesë herë më e ulët se mesatarja botërore, e cila luhatet rreth 18%. Ky tregues dëshmon se presioni që aktivitetet njerëzore dhe ekonomike ushtrojnë mbi burimet natyrore ujore në vendin tonë është pothuajse i papërfillshëm dhe paraqet një rezervë të madhe për zhvillim në të ardhmen që nuk po shfrytëzohet.

Analiza e këtyre të dhënave sugjeron se sfida kryesore për Shqipërinë nuk lidhet me sasinë e burimeve ujore, por me potencialin e tyre ende të paprekur. Ndërsa bota po përballet me rritje të stresit ujor, ku vende si Jemeni shfrytëzojnë mbi 169% të burimeve të tyre duke rrezikuar tharjen totale, Shqipëria operon me marzhe të larta sigurie.

Uji i bollshëm, por i pashfrytëzuar, ofron një mundësi strategjike për rritjen e prodhimit bujqësor dhe zhvillimin e industrisë, pa cenuar ekuilibrat mjedisorë.

Scroll to Top