Rikthehen ‘skemat piramidale’, alarm për mashtrimin me investime në Lezhë
Skemat e mashtrimit janë rikthyer sërish në qytetin e Lezhës. Një skemë që më parë mashtroi qindra qytetarë, duket se ka rigjetur terren për t’u rikthyer. Arsyeja mund të jetë fakti që nuk u identifikuan përgjegjësit dhe askush nuk u soll para drejtësisë.
Këtë herë, skema më e re, e quajtur “Ivuu”, funksionon përmes aplikacionit “Telegram”. Në grupin “Apex Albanian Group”, ku kryhet mashtrimi, bëjnë pjesë rreth 260 pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria.
E njëjta skemë ndodhi edhe një vit më parë, kur shumë qytetarë investuan shuma të konsiderueshme parash, me premtimin se brenda dy javësh do të përfitonin dyfishin e investimit. Kulmi i këtij aktiviteti, i quajtur “Xeux”, u shënua gjatë verës së vitit 2025.
Skema funksiononte në formë zinxhiri: çdo individ sillte persona të rinj dhe përfitonte komisione. Shumëfishimi i parave bëhej përmes të ashtuquajturave “sinjale”, të cilat shtonin fondin në një portofol elektronik, duke nxitur investime të tjera.
Për t’u bërë pjesë, mjaftonte një investim prej 1-2 mijë eurosh, së bashku me kartën e identitetit, ndërsa komunikimi zhvillohej nëpërmjet aplikacionit “Telegram”. Si pasojë, shumë persona humbën shuma të mëdha parash, ndërsa dyshohet se përfituesit ishin vetë organizatorët e skemës.
Kjo skemë duket se ka filluar sërish të qarkullojë në Lezhë. Kërkohet reagim i menjëhershëm nga institucionet ligjzbatuese për të ndaluar përhapjen e saj.
