Operatorët celularë duhet të rimbursojnë kreditë e papërdorura pas bartjes së numrit.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) miratoi në fillim të këtij muaji një rregullore të re për mënyrën e zbatimit të portabilitetit të numrit. Në mbështetje të ligjit të ri “Për komunikimet elektronike”, rregullorja përcakton që konsumatorët me parapagim të shërbimeve celulare kanë të drejtë të kërkojnë rimbursim nga operatori dhënës për kreditet e mbetura ose të papërdorura në datën e bartjes së numrit.
Operatori dhënës duhet të kryejë rimbursimin e kredive të mbetura sipas kërkesës së konsumatorit me parapagim, e cila duhet të depozitohet pranë operatorit dhënës. Përdoruesit do t’u caktohet një afat për paraqitjen e kërkesës për rimbursim, jo më pak se 14 ditë kalendarike nga data e bartjes së numrit.
Operatori dhënës duhet të ofrojë mundësinë e paraqitjes së kërkesës për rimbursim në pikat e shitjes, si edhe nëpërmjet mjeteve elektronike online (p.sh. email ose kërkesa online) që operatori përdor për komunikim me pajtimtarët dhe që mundësojnë identifikimin e tyre.
Operatori dhënës ka të drejtë të aplikojë një tarifë administrative për procesimin e kërkesës për rimbursim, vetëm nëse kjo parashikohet në kontratën ekzistuese me konsumatorin. Tarifa e aplikuar duhet të jetë proporcionale me kostot aktuale të operatorit për ofrimin e shërbimit të rimbursimit. Ajo duhet të jetë fikse dhe jo më e lartë se 500 lekë (me TVSH), pavarësisht vlerës së rimbursuar.
Operatori duhet të kryejë rimbursimin me pagesë cash në një pikë shitje ose me transfertë bankare, nëse kjo kërkohet nga konsumatori. Rimbursimi duhet të kryhet brenda një afati të arsyeshëm, por jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga data e marrjes së kërkesës.
Ligji i ri “Për komunikimet elektronike” parashikon gjithashtu të drejtën e kompensimit të përdoruesit në rast vonesash ose abuzimesh gjatë procesit të bartjes së numrit. Ofruesit e shërbimeve të komunikimit elektronik duhet të përfshijnë në kontratë çdo tarifë për ndërrimin, marrëveshjet e kompensimit dhe rimbursimit për vonesa apo abuzime, si dhe informacion mbi procedurat përkatëse.
Rregullorja përcakton se vonesat ose abuzimet nga operatori (dhënës ose marrës) në procesin e bartjes së numrit përfshijnë:
- Kryerjen e procesit të bartjes së numrit nga operatori marrës pa kërkesë nga pajtimtari.
- Refuzimin ose pranimin me kusht të kërkesës për bartje numri nga operatori dhënës në kundërshtim me rregulloren.
- Tejkalimin e afateve nga operatori dhënës në përgjigje të kërkesës për bartje.
- Tejkalimin e afateve nga operatori marrës për hedhjen në sistemin përkatës të kërkesës së portabilitetit.
Megjithatë, rregullorja nuk përmban përcaktime konkrete për vlerën e kompensimit ose mënyrën e llogaritjes së saj në këto raste.
Bartja e numrave për pajtimtarët e rrjeteve dhe shërbimeve publike telefonike të lëvizshme filloi në vitin 2011, ndërsa për pajtimtarët e rrjeteve dhe shërbimeve publike telefonike fikse filloi në vitin 2012. Deri në fund të vitit 2024, ishin bartur rreth 1.3 milionë numra celularë dhe rreth 20 mijë numra fiks. Pavarësisht ndërhyrjeve të herëpashershme të AKEP dhe ndryshimeve në rregullore, ky proces ka qenë vazhdimisht problematik.
Sipas të dhënave nga AKEP, bartja e numrave celularë arriti nivelin më të ulët historik gjatë vitit 2024, me vetëm 19,500 numra të bartur, 50% më pak se një vit më parë. Gjithashtu, shkalla e refuzimit të kërkesave të abonentëve për bartje numri ishte mjaft e lartë; për vitin 2024, rreth 50% e këtyre kërkesave u refuzuan. Edhe pse shkalla e refuzimit ka pësuar rënie nga gati 70% një vit më parë, procesi vazhdon të ketë problematika.
Problematikat e raportuara në ankesat e pajtimtarëve nga AKEP lidhen me:
- Refuzimet e kërkesave për bartje numri nga operatori transferues për arsye të mospërputhjes së ID-së së përdoruesve me parapagim në sistemet e operatorit transferues me ID-në në kërkesën për bartje.
- Detyrimet kontraktore të pajtimtarit me paspagim (kontratë) tek operatori transferues.
Ligji i ri “Për komunikimet elektronike” parashikon gjobë deri në 2% të të ardhurave vjetore (por jo më shumë se 50 milionë lekë) për operatorin e komunikimeve elektronike, në rast se nuk përmbush detyrimet ligjore për portabilitetin e numrave.
