Rinas Nyje Rajonale: 555 mijë Udhëtarë nga Rajoni në 2025

Dikur shkonim ne, tani vijnë ata: 555 mijë udhëtarë nga rajoni në Rinas në vitin 2025

Një dekadë më parë, Shqipëria spikaste në lajme për çmimet e larta të biletave të avionëve, të cilat për një udhëtim vajtje-ardhje ishin mesatarisht mbi 200 euro. Në rajon, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, hyrja e operatorëve ajrorë me kosto të ulëta kishte bërë që çmimet e biletave të ishin më të lira, madje edhe nën 100 euro. Për pasojë, shumë shtetas shqiptarë nuk hezitonin të udhëtonin me makinë në grupe drejt Shkupit, Podgoricës apo Prishtinës për të fluturuar drejt Europës. Edhe agjencitë turistike përdornin rajonin për organizimin e udhëtimeve turistike, si për shembull në Barcelonë nga Shkupi, duke ofruar edhe transportin me autobus deri në aeroportin e shtetit fqinjë.

Tashmë situata ka ndryshuar rrënjësisht. Mund të ndodhë shpesh që gjatë udhëtimit nga apo drejt Rinasit, të dëgjoni biseda në gjuhë ballkanike ose të takoni shumë shtetas nga Kosova. Udhëtarë nga Mali i Zi, Kosova apo Maqedonia e Veriut po përdorin Rinasin si një pikë tranziti për të udhëtuar drejt Europës, duke shfrytëzuar afësinë gjeografike, çmimet e favorshme dhe numrin e lartë të destinacioneve.

Sipas të dhënave zyrtare nga TIA, në vitin 2025, 555 mijë shtetas nga rajoni fluturuan nga dhe drejt Rinasit. Kjo shifër përbën rreth 5% të totalit të pasagjerëve dhe 12% të lëvizjeve ajrore të shtetasve shqiptarë, sipas të dhënave nga INSTAT, të përpunuara nga “Monitor”. Në vend të parë renditen shtetasit e Kosovës me 305 mijë udhëtarë, të ndjekur nga ata të Malit të Zi me 139 mijë. Ndërkohë, shtetasit nga Maqedonia e Veriut treguan një tendencë në rritje në vitin 2025, duke numëruar 111 mijë udhëtarë, me një zgjerim prej 18% krahasuar me vitin paraprak.

“Në fillim të vitit 2025, ne kemi pozicionuar Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës si një nyje rajonale. Ky pozicionim erdhi si pasojë e numrit të madh të destinacioneve që ne ofrojmë, krahasuar me aeroportet e vendeve fqinje”, shprehet Manjola Kaso, Drejtoreshë për Zhvillimin e Aviacionit dhe Marketing në TIA. Ajo shton: “Elementi shtesë që na dallon është numri i lartë i frekuencave për destinacione kyçe strategjike si Londra, Roma, Frankfurti, Milano, Vjena, etj., duke u ofruar udhëtarëve fleksibilitet më të madh dhe mundësi më të mira lidhëse”.

Ian Malin, drejtor komercial i “Wizz Air”, operatori ajror më i madh në Shqipëri me rreth 54% të tregut të fluturimeve, pohon: “Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po shërben gjithnjë e më shumë si një portë e rëndësishme hyrëse për udhëtarët nga rajoni më i gjerë, përfshirë Kosovën dhe Malin e Zi. Ndërsa Shqipëria mbetet tregu kryesor, një pjesë gjithnjë në rritje e pasagjerëve vjen nga vendet fqinje, të tërhequr nga tarifat konkurruese, disponueshmëria e linjave dhe frekuenca e fluturimeve. Kjo tendencë nënvizon rolin në rritje të Tiranës si një nyje rajonale e aviacionit”.

Të dhënat rajonale tregojnë se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është më i madhi në rajon, duke përpunuar 11.64 milionë pasagjerë në vitin 2025. Serbia, me aeroportin kryesor “Nikola Tesla” në Beograd, pati 8.9 milionë pasagjerë, ndërsa Kosova renditet e treta me 4.6 milionë pasagjerë.

Pozicioni i Rinasit si një nyje rajonale pritet të përforcohet edhe më tej pas fillimit të lidhjeve direkte ndërkontinentale me Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që parashikohet të nisin në vitin 2026. Krahas udhëtarëve vendas, tregu i synuar përfshin edhe vendet e tjera të rajonit.

Kur do të fillojnë fluturimet me SHBA-në dhe Kanadanë

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës po punohet vrullshëm për zgjatjen e pistës, duke e çuar atë në afërsisht 3,000 metra. Ky investim do të mundësojë operimin e linjave ajrore me fluturime të gjata ndërkontinentale, fillimisht drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë.

Manjola Kaso, Drejtoreshë për Zhvillimin e Aviacionit dhe Marketing në TIA, pohon se duke filluar nga qershori 2026, “Air Transat” do të kryejë fluturime të rregullta javore të drejtpërdrejta drejt Torontos. Lidhur me destinacionet drejt SHBA-ve, ajo shton se TIA është në bisedime intensive me të gjithë operatorët ajrorë që kanë kapacitetin për të ofruar këtë shërbim. Aktualisht, fluksi vjetor i pasagjerëve drejt SHBA-së është mbi 300,000, ku pjesa më e madhe (95,000) udhëton drejt Nju Jorkut dhe 45,000 drejt Nju Xhersit. “Megjithatë, vlerësimet tona tregojnë se një lidhje e drejtpërdrejtë do ta shumëfishojë këtë kërkesë, veçanërisht duke marrë në konsideratë edhe kërkesat në rritje nga vendet e rajonit”, përfundon znj. Kaso.

Scroll to Top