Sht. Nën 17th, 2018

Rindërtimi i shkollës “Kosova”, si u dogj tre herë shkolla më e njohur e Tiranës

E ka përshkuar për 20 vjet këtë rrugë teksa jepte mësim në shkollën “Kosova”. Në atë shkollën e vogël njëkatëshe, me çati me tjegulla, me vetem 9 klasa fillore që ndodhej në rrugën e Elbasanit, që nuk kishte njeri që e njihte.

Mësuese Shpresa Cukalla rikthehet sot sërish por në një godinë që as që e kishte menduar.

“Emocionet sot janë shumë të mëdha, dhe unë nuk mund ti përshkruaj për një moment. Dhe mbushem me krenari sa herë që shkoj, që në momentet që ka nisur ndërtimi i shkollës “Kosova”. Ajo shkolla e vogël vërtetë ishte njëkatëshe, me 9 ambiente mësimore, po brenda saj kishte shumë dashuri, shumë përkushtim dhe emër të madh në Tiranë”, rrëfen ajo.

Shkolla “Kosova” kishte krijuar emër në qytet jo vetëm për cilësinë e mësim-dhënies, ekipin e mësuesve më të mirë por edhe se emra të nxënësve që kishin dalë nga bankat e saj shkëlqyen në mësime ngado u arsimuan e madje janë në poste drejtuese edhe sot. Por fama e shkollës “Kosova” do të ndërpritej në mes. Mësuese Shpresa kujton se si shkolla u dogj me dashje, madje tre herë, pasi pronarët e tokës kërkonin të ndërtohej pallat.

“Kur u dogj shkolla mësuesit u ndjemë keq, po nuk kishim çtë bënim. Ishte dhimbje sepse kuptuam fundin që i erdhi shkollës “Kosova”. Nxënësit, prindërit humbën besimin që kjo shkollë do të bëhet”, thotë ajo.

Dora e fundit iua dha në vitin 2012 ku gjithçka kish mbetur nga shkolla “Kosova” u rrënua për ta shndërruar atë në parking privat. Por në vitin 2015, pronarët e tokës u shpronësuan dhe u vendos rithimi i shkollës “Kosova”.

“Rikthimi i saj në një shkollë ka një simbolikë të marrjes së hapësirave që në mënyrë ekstraligjore ishin uzurpuar tek publikja. Tashmë një shkollë e ndërtuar me një koncept pak më avangardë se shkolla tipike që ne kemi pasur në mënyrë të vazhdueshme”, thotë Arbian Mazniku.

Ashu e emocinouar teksa shikon me sytë e saj këtë transformim të shkollës “Kosova” që nga një shkollë e thjeshtë fillore do të jetë 9-vjeçare me mësuese Shpresa nuk e fsheh dëshirën e saj.

“Jo vetëm kur ngjita shkallët, po që në rrugë dhe kur lexoj emrin shkolla 9-vjeçare “Kosova”, mallëngjehem dhe emocionohem. Dhe do të ishte gjë e paparë nëse qoftë dhe një ditë do të bëja mësim në këtë shkollë, thjesht për kënaqësinë time”, thotë ajo.

Shkolla “Kosova”, sot një godinë katër katëshe me 18 klasa, me laboratore, me palestër e pajisur me sistem ngrohje e shkallë emergjence si asnjë shkollë tjetër në Shqipëri hap dyert për të pritur mbi 400 nxënës në 17 shtator, ditën e parë të shkollës së vitit të ri akademik .

InfoPasqyra/tch

Kategori